Punësime me lidhje familjare në Policinë e Kosovës – Kjo është lista

Punësime me lidhje familjare në Policinë e Kosovës – Kjo është lista

Historia e drejtuesve të policisë aktualisht sillet edhe rreth Elmi Reqicës, dikur numri dy në drejtim të Shërbimit Informativ të Kosovës, ShIK-ut kontrovers të afërt me PDK-në që drejtohej nga Kadri Veseli. Reqica, aktualisht deputet i PDK-së dhe anëtarë i komisionit që do ta mbikëqyr edhe Policinë nuk është pajtuar që të intervistohej për këtë dokumentar.

Ajo që dihet në publik është se gjatë qeverisjes së PAN-it, në Policinë e Kosovës ndodhën ndryshime të mëdha në udhëheqësin e këtij institucioni dhe gjithçka nisi me drejtorin e ri të këtij institucioni. U emërua miku i ngushtë i politikanit të fuqishëm të PDK-së, Elmi Reçicës, Rashit Qalajt.

Kur Qalaj u bë drejtor u kujdes që ti sistemonte zyrtarët e lartë që iu përmendet lidhja me ShIK-un, si Emin Beqiri që u avancua me gradë në Ferizaj, qyteti prej ku vije edhe Reqica edhe Qalaj. Beqiri që ishte përfshirë në një skandal bashkë me Rrahim Hashimin, njeriun e PDK-së të etabluar si sekser, por ky veprim nuk e pengoi Qalajn në avancim të Beqirit. Qalajan nuk e pengoi në këtë vendim as fakti që ky vendim i tij ishte kritikuar ashpër edhe nga Ish-Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Qalaj u kujdes që ta sistemonte mirë në Polici edhe Kadri Arifin, po ashtu i përmendur si shërbëtor i SHIK-ut në Policinë e Kosovës.

Qalaj po ashtu mori vendim që mikun e tij dhe të Elmi Reçicës, Fatmir Karalitin, ta transferojë nga Ferizaj në një pozitë të lartë në Prishtinë. E bëri shef të sektorit të hetimeve financiare në nivel nacional.

Afërsia e tyre është dëshmuar edhe në një fotografi tjetër ku shihet Qalaj, Reçica, bashkë me ta në një grup me të gjerë është edhe deputeti i ri PDK-së, Gazmend Bytyqi.

InDoks ka folur me burime brenda Policisë së Kosovës që tregojnë edhe për një fenomen masiv të punësimeve familjare e të lidhjeve të një grupi që sillen rreth Rashit Qalajt. Këto informata thonë që janë dërguar edhe në institucione të tjera në rrugë jo-zyrtare.

Sipas këtyre informatave që ka grumbulluar InDoks për nevoja të këtij dokumentari, njëri nga njerëzit më të afërt të Qalajt, Riza Shillova e ka Policinë si çerdhe punësimi.

Edhe gruaja e tij, Leonora Shillova ka qenë zyrtare policore, por më vonë u bart në Forenzikë, që po ashtu është nën Ministrinë e Punëve të Brendshme, sikurse Policia. Edhe vëllai i saj, Mal Shala, miku i Shillovës, punon në Polici, si shef i data bazës. Edhe vjehrri i tij, Bajram Shala që tash është ne pension, kishte punuar në Polici.

Këto burime të InDoks kanë treguar që ai ka një lidhje familjare edhe me udhëheqësen e administratës në Polici, Tibe Canollin, dhe policin tjetër Afrim Ahmeti.

Këto burime kanë bërë me dije se edhe gradimet në Policinë e Kosovës janë bërë së fundi me lidhje grupesh që sillen rreth Qalajt e Shillovës. Sipas këtyre informatave, Shillova bashkë me miq kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në lagjen “Dardania e re”, në Hajvali. Fqinji i tij i parë është Agron Rukiqi- që u avancuan ë Kolonel në kohën e Rashit Qalajt

Bashkë me ta janë edhe policë të tjerë të renditur me shtëpi afër njëri-tjetrit, siç është edhe Hilmi Pacolli. Edhe ky i fundit u gradua në Kolonel.

Burimet e InDoks tregojnë që po me lidhje miqësie me Shillovën u gradua në Kolonel edhe Ekrem Raci.

Në lagjen ku banon Shillova aty, burimet e Indoks, bëjnë me dije se ka shtëpi edhe Çlirim Hajdini. Edhe ky fqinj i Shillovës u avancuan ë gradën Nënkolonel.

Shillova dyshohet se e ka ndihmuar edhe një fqinj të tij tjetër, Ali Aruqin, që të avancohet në gradën Major. Po ashtu edhe gradimi në Kolonel i Bentor Shabanit i faturohet lidhjeve miqësore të tij me Shillovën e Shaban Grudën, një udhëheqës në Departamentin e Policisë Kufitare.

Dyshimet ekzistojnë që madje dhe avancimi i Bashkim Spahiut, që është po ashtu në lidhje familjare me hetuesin që u kap me ryshfet në dorë, Lavdim Osmanin, u avancua edhe për lidhjet e tij me Shillovën. Spahiu u avancua në Nënkolonel.

Kohë më parë u raportua që nënkolonel, Bashkim Spahiu, kapitene Laura Ahmeti dhe zyrtarë të tjerë nga shtylla e Hetimeve në Drejtorinë e Përgjithshme u fotografuan duke festuar me alkool vitin e ri, madje në zyrë, por nuk dihet sigurt nëse ata janë futur nën masa disiplinore për këtë veprim.

Spahiu, po ashtu si Shillova, po e përdorë Policinë për të rehatuar familjarë. Kështu, djali i tij Fisnikun në Drejtorinë e trafikut, kurse gruan e Fisnikut si zyrtare në departamentin e hetimeve.

E për gradimet, burime të InDoks thonë se të dyshimta janë edhe rastet e gradimit të Nexhmi Krasniqit, ish-drejtor i policisë në Prizren që i përmenden shumë skandale, përfshirë edhe ai i deklarimeve skandaloze për rastin e Astrit Deharit. Edhe ai është avancuar në Kolonel.

Tjetër avancim i dyshimtë në këto informata që janë deponuar jo-zyrtarisht edhe në institucione që e mbikëqyrin Policinë përmendet edhe Ali Kllokoqi që është vjehrri i dy djemve të ish-Presidentit Ibrahim Rugova, Ukës e Mendimit.

Sipas këtyre informacioneve edhe Naim Rexha u avancua në gradën Kolonel për shkak të lidhjeve të tij familjare me ish-zëvendësministrin e punëve të brendshme nga PDK-ja, Nehat Mustafa.

InDoks ka bërë kërkesë për ta intervistuar Rashit Qalajn për mënyrën se si po funksionon ky institucion nën drejtimin e tij, dhe për ta pyetur për këto të gjetura, por kjo intervistë nuk i është mundësuar, derisa ditëve të fundit ai ka pasur intervista të tjera./ Insajderi.com