Punësimi i jashtëligjshëm në Aeroportin e Gjakovës – I vetmi kandidat që plotësoi kushtet

Punësimi i jashtëligjshëm në Aeroportin e Gjakovës – I vetmi kandidat që plotësoi kushtet

Aeroporti i Gjakovës ka punësuar si përgjegjës të sigurimit të vetmin kandidat që kishte plotësuar kushtet e konkursit. Në Raportin e Auditorit janë gjetur dy shkelje gjatë punësimit të tij si përgjegjës të sigurimit, raporton Insajderi.

E para ka të bëjë me përbërjen e komisionit që është i obliguar të jetë i përbërë prej pesë anëtarëve për rekrutimin në punë në sektorin publik. Sipas Auditorit në këtë komision kanë qenë vetëm tre anëtarë.

“Sipas udhëzimit administrativ nr. 14/2011 për rregullimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies se punës në sektorin publik, kërkohet që komisioni i rekrutimit të përbehet nga pesë anëtarë. Aeroporti kishte formuar komision për rekrutim i cili kishte vetëm tre anëtar në përbërjen e tij”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Ndërkaq shkelja e dytë e gjetur nga Auditori është se në konkursin për punësimin e tij kishin aplikuar tre kandidatë dhe nga këta vetëm njëri prej tyre i kishte plotësuar kriteret e konkursit.

Sipas udhëzimit konkursi që nuk ka së paku tre kandidatë që i plotësojnë kriteret atëherë ai duhet të ri-përsëritet. Por Aeroporti i Gjakovës nuk e ka bërë një gjë të tillë. Përgjegjës i sigurimit është punësuar kandidati i vetëm që i plotësonte kriteret e konkursit, shkruan Insajderi.

“Gjithashtu udhëzimi i lartë përmendur kërkon që në rast se nuk i plotësojnë kriteret e konkursit së paku tre kandidat, konkursi duhet të rishpallet. Aeroporti nuk e ka ri-shpallur konkursin edhe pse vetëm njëri nga tre kandidatet e plotësonte kriterin e përvojës, por vazhduan me procedura duke e zgjedhur kandidatin që kishte plotësuat kriteret në pozitën e përgjegjësit të sigurimit. Kjo për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së duhur nga menaxhmenti”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Komisioni i rekrutimit jo në përputhje me udhëzimin administrativ dhe vazhdimi i procesit të rekrutimit pa plotësimin e kritereve të konkursit së paku nga tre kandidat, sipas Auditorit rrezikon të punësoj punonjës jo kompetent për atë vend pune./Insajderi.com