Punëtorët e ATK-së kërkojnë paga të njëjta si në Doganë

Punëtorët e ATK-së kërkojnë paga të njëjta si në Doganë

Punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës, të hënën kanë mbajtur grevën e tetë, ndërkohë që ishte e para me orar të plotë, ku taksapaguesve nuk u është ofruar asnjë shërbim.

Gjëja e parë që i shtynë punëtorët të hyjnë në grevë janë pagat.

Ata po kërkojnë paga të njëjta me institucionet që kryejnë të njëjtën punë, e me këtë rast është përmendur Dogana e Kosovës.

Arlinda Bajraj, sekretare e Sindikatës së Punëtorëve të ATK-së, thotë se kështu do të vazhdojë deri në plotësim të kushteve, e që janë disa.

Sipas saj, punëtorët në Doganë marrin përafërsisht 100 euro më shumë në muaj për punën e njëjtë që e kryejnë punëtorët në ATK.

“Të dy jemi institucione të njëjta, të dyja mbushim buxhetin e shtetit, madje ata punojnë vetëm në kufi, kurse në terren, në gjithë Kosovën mbledhin taksa”, ka thënë ajo, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Kërkesë tjetër e Sindikatës së ATK-së, është edhe përmirësimi i kushteve të punës. Thotë se në objektin e ish-Gërmisë, ku punojnë tash, e që së shpejti duhet ta lirojnë, nuk ka kushte elementare për punë.

“Sa herë bie shi, uji futet brenda. Ka zyre edhe në bodrum ku nuk ka as dritare e ajr të mjaftueshëm. Institucionet tjera që ishin në këtë objekt janë larguar, ndërsa ne nuk kemi një vendim. Është dashur ta lirojmë në qershor, por ende nuk ka asgjë”, ka thënë ajo.

Objekti i ish-Gërmisë është pronë e Komunës së Prishtinës dhe ai është paraparë të shndërrohet në sallë koncertale./Insajderi.com