Punëtorët e ATK-së vazhdojnë grevën, por me masa të shtuara

Punëtorët e ATK-së vazhdojnë grevën, por me masa të shtuara

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës  njofton se grevën që e ka vazhduar me datë 14 Korrik 2021, do vazhdohet nga e Hënë deri të Premten, përcjell Insajderi.

Por, sipas njoftimit, greva do të vazhdohet me masa të shtuara duke filluar nga ora 8:00 deri 12:00, duke i ndërprerë të gjitha shërbimet për tatimpaguesit.

“Ndërsa nëse ende nuk ka reflektime në lidhje me kërkesat tona nga data 26 Korrik 2021 do të vazhdohet me grevë të përgjithshme nga ora 08-16”, thuhet në komunikatën për media.

Greva do mbahet në të gjitha Drejtoritë e Administratës Tatimore të Kosovës.

“Arsyet për mbajtjen e kësaj greve janë sqaruar edhe në njoftimet paraprake. Kërkesat tona të adresuara janë si në vijim: 1. Propozim ndryshimi i statusit të Administratës Tatimore të Kosovës; 2. Krijimi i kushteve të punës; 3. Kompensimet tjera të shpenzimeve (sipas kërkesave paraprake)”.

“Greva është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe do të vazhdojë duke u mbështetur edhe në Ligjin Nr.04/L-011 për Organizimin Sindikal në Kosovë dhe Ligjin për Greva Nr.03/L-200, si dhe Statutin e ShSPATK-së.”/Insajderi.com