Putin urdhëron fillimin e vaksinimit masiv të Rusisë kundër COVID-19

Putin urdhëron fillimin e vaksinimit masiv të Rusisë kundër COVID-19

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar autoritetet e vendit të fillojnë vaksinimet vullnetare masive kundër COVID-19 nga java e ardhshme, transmeton Insajderi.

Masa, e njoftuar të mërkurën, erdhi pasi Rusia tha muajin e kaluar se vaksina e saj e prodhuar në vend Sputnik V ishte 92% efektive në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19, sipas rezultateve të publikuara, raporton Al Jazeera.

Vendi do të ketë prodhuar dy milionë doza të vaksinës brenda ditëve të ardhshme, tha Putin, duke vënë në dukje se mësuesit dhe mjekët do të jenë të parët që do të marrin vaksinën.

“Le të biem dakord për këtë – nuk do të më raportoni javën tjetër, por do të filloni vaksinimin masiv … le të shkojmë në punë tashmë”, i tha Putin zëvendës kryeministres Tatyana Golikova.

Kremlini më herët dha garanci se rusët ishin të parët në radhë për t’u vaksinuar, me Moskën gjithashtu duke diskutuar marrëveshjet e furnizimit me vendet e tjera.

“Prioriteti absolut janë rusët”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Prodhimi brenda Rusisë, i cili tashmë është duke u zhvilluar, do të plotësojë nevojat e rusëve”. Më shumë se 100,000 njerëz tashmë janë inokuluar kundër koronavirusit të ri, sipas ministrit rus të Shëndetësisë, Mikhail Murashko, i cili paraqiti vaksinën Sputnik V në Kombet e Bashkuara përmes video thirrjes të mërkurën. /Insajderi.com