Putin: Vendimi për suspendimin e sportistëve rusë është politizuar

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka pretenduar se vendimi i Agjencisë Botërore Antidoping (VADA) për suspendimin e Rusisë nga garat ndërkombëtare për katër vjet është “politizuar” dhe se “nuk ka asnjë lidhje me interesat e sportit”, transmeton Sputnjik.

Putin: Vendimi për suspendimin e sportistëve rusë është politizuar

“Kështu diçka nuk ka pasur qysh nga koha e të Drejtës Romake. Dënimet nuk mund të jenë kolektive dhe nuk mund të lidhen me njerëz të cilët nuk kanë asnjë lidhje me shkelje të caktuara të rregullave – këtë e kupton çdokush. Mendoj se edhe ekspertët e VADA-s e dinë këtë”, ka thënë Putin në një konferencë për medie në Paris në fund të samitit të “katërshes së Normandisë”.

Ai ka deklaruar se në esencë të këtyre vendimeve “qëndrojnë arsyet politike të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me interesat e sportit dhe lëvizjes olimpike”.

“Ajo që qëndron në sipërfaqe e që e shohë menjëherë, është se nuk ka kurrfarë pretendimi ndaj Komitetit Kombëtar Olimpik të Rusisë. Nëse ndaj atij nuk ka pretendime, shteti duhet të garojë nën flamurin kombëtar. Kështu shkruan në Kartën Olimpike. Kjo do të thotë se VADA e ka shkelur Kartën Olimpike”, ka thënë presidenti i Rusisë./Insajderi.com.