PZAP aprovon vendimin e KQZ-së, Kurtit dhe të tjerëve s’u lejohet kandidimi

PZAP aprovon vendimin e KQZ-së, Kurtit dhe të tjerëve s’u lejohet kandidimi

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me moscertifikimin e subjektit dhe kandidatëve për deputetë, të cilët janë dënuar për vepra penale në tri vitet e fundit, njofton Insajderi.

Me këtë rast, kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i mohohet e drejta për pjesëmarrje në zgjedhje. Te VV-ja pos tij, kandidimi i është ndaluar edhe katër kandidatëve të tjerë. Vendimi thekson se Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë dorëzuar nëntë ankesa nga subjektet politike për moscertfikim të kandidatëve për deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate janë disa prej subjekteve politike që kanë dorëzuar ankesë në PZAP.

Këto ankesa u bënë pasi KQZ-ja votoi që të mos lejohen që të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidatët për deputetë që kanë dënime të formës së prerë nga gjykatat, në tri vitet e fundit./Insajderi.com