PZAP gjobitë partitë me 350 mijë euro

PZAP gjobitë partitë me 350 mijë euro

Mbi 350 mijë euro është shuma totale e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuara ndaj subjekteve politike që ishin në garë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Afati i fundit për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve ka përfunduar të enjten në orën 19, ndërsa kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku thotë se të gjitha vendimet që janë pranuar, kanë rezultat me gjoba, që kanë të bëjnë kryesisht për thyerje të kodit të mirësjelljes të shërbimit civil nga ana e subjekteve politike.

“Shuma totale e gjobave është 357 mijë e 200 euro. Është një shumë mjaft e madhe e shqiptimit të gjobave ndaj subjekteve politike. Shumat më të mëdha janë shqiptuar ndaj koalicioneve dhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pastaj ndaj disa subjekteve të pakicave, pra kryesisht ndaj koalicioneve dhe partive më të mëdha janë shqiptuar edhe gjova më të mëdha”, tha Desku për Radio Kosovën.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, e deri të enjten kur ka qenë afati i fundit për vendosjen e të gjitha ankesave, në PZAP janë dorëzuar 354 ankesa dhe apele nga ana e subjekteve politike, OJQ-ve dhe kandidatëve, bënë të ditur Desku. Prej tyre, sipas tij, 141 ankesa janë pranuar. Ai thekson se për fushatën zgjedhore kanë qenë të paraqitura 181 ankesa bashkë me parafushatën që i referohen apeleve që janë ushtruar në PZAP ndaj vendimeve të KQZ-së, për heshtjen zgjedhore 88 ankesa, ndërsa për ditën e votimit 65 ankesa.

“Prej këtyre të fundit, asnjëra prej tyre nuk ka pasur të bëjë me parregullsitë që i referohen dëmtimit të procesit zgjedhor, kryesisht janë fushatë, thyrje  heshtjes zgjedhore, që i referohen fushatës. Kështu që pjesën më të madhe PZAP-i i ka hedhur si të palejuara”, tha Desku, njofton rtklive.

Pas përfundimit të vendimeve për ankesat e parafushatës, fushatës dhe ditës së zgjedhjeve, PZAP pret ankesa të tjera nga kandidatët. Desku thotë se mund të ketë ankesa nga kandidatët e pakënaqur lidhur me numërimin e votave dhe mund t’i paraqesin ankesat në PZAP brenda 24 orëve, nga momenti i shpalljes së këtyre rezultateve zyrtare nga KQZ. Ndërsa PZAP-i do të vendos për këto ankesa brenda 72 orëve.