PZAP sot publikon vendimin për certifikimin e kandidatëve

PZAP sot publikon vendimin për certifikimin e kandidatëve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të martën do të marrë vendim lidhur me ankesat e subjekteve politike për moscertifikimin e listave me kandidatët për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur Mulë Desku, kryesues i sekretariatit në këtë institucion.

“Sot gjatë ditës vendosen rastet dhe do të publikohen”, tha Desku.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të PZAP-së thuhet se vendimi do të kumtohet në afatin më të shpejtë të mundshëm.

“Përmes këtij njoftimi informojmë të gjitha mediat e Republikës së Kosovës e me gjerë se, PZAP-i përmes Faqes zyrtare dhe facebook të tij zyrtar, do të ju informoj në afatin më të shpejtë të mundshëm për vendimet që do ti marrë lidhur me Apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit te KQZ-së, për mos certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve.

Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP që i bie se vendimet do të merren deri nesër me date 26 janar 2021”, thuhet në njoftim./Insajderi.com