Qelej tregon kushtet që demarkacioni të dërgohet në Arbitrazh

Qelej tregon kushtet që demarkacioni të dërgohet në Arbitrazh

Ish-zëdhënësi i Komisionit për Matjen e Territorit  me Malin e Zi, Tomor Qelaj e ka cilësuar si joprofesionale të gjeturat e komisionit të Shpejtim Bulliqit.

Qelaj në një shkrim dërguar Insajderit ka folur për mundësin e dërgimit të kësaj marrëveshje në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas tij dërgimi i kësaj marrëveshje në Arbitrazh do ta kthente Kosovën në pikën më të vështirë diplomatike që nga shpallja e pavarësisë.

“Së fundmi, është ngritur dilema se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit në mes R. së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, duhet t’i nënshtrohet edhe vlerësimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Hagë? Edhe pse për të kaluar në ketë fazë është rrugë e gjatë dhe me plotë vështirësi politike dhe juridike, e cila mendoj se e kthen procesin në pikën më të vështirë diplomatike, që nga shpallja e pavarësisë më 2008”, thuhet shkrimin e Qelajt.

Ai më tutje ka thënë se për dërgimin e kësaj marrëveshje duhet që fillimisht të rrëzohet në kuvendin e Kosovës si dhe të zhvlerësohet nga ana e Malit të Zi.

“Procedura e dërgimit të marrëveshjes në arbitrazh, e cila fillimisht kërkon që marrëveshja ekzistuese të rrëzohet në Kuvendin e R. së Kosovës (rrjedhimisht do të zhvleftësonte edhe ratifikimin nga ana e Malit të Zi)”.

“Duhet të vlerësohen pasojat politike të këtij veprimi, si dhe duhet të vlerësohet se cili mund të jetë vlerësimi final i arbitrazhit? Me një fjalë, duhet të adresohet përgjegjësia!  Duhet të merret vendimi politik i dyanshëm për formimin e komisioneve respektive; Nevojitet rifillim i një procesi të ri për shënjimin e vijës kufitare në mes të dy shteteve”.

“Pasojat e një veprimi të tillë (dërgimin e Marrëveshjes në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë), bartin me vete përgjegjësi profesionale dhe politike, duke provuar edhe një herë që rezultati final të jetë ai i cili është përcaktuar nga ana e komisioneve për shënjimin e vijës së kufirit në mes të dy shteteve (v. 2015). Kjo për faktin se procesi i shënjimit të kufirit ka kaluar të gjitha procedurat politike, juridike, profesionale e shkencore dhe ka ngecur në procedurën e ratifikimit”, ka shkruar ndër të tjera Qelaj./Insajderi.com