Qëndron Kastrati për Insajderi.com: Hyrja e forcave serbe në territor të Kosovës, shkelë Marrëveshjen e Kumanovës

Qëndron Kastrati për Insajderi.com: Hyrja e forcave serbe në territor të Kosovës, shkelë Marrëveshjen e Kumanovës

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në një prononcim për Insajderi.com, ka folur rreth parakalimit të trupave serbe në territorin e Kamenicës.

Ai është shprehur se “ky nuk është rasti i parë kur është bërë një veprim i tillë nga trupa paramilitare serbe. Por ne si qeverisje komunale, më të kuptuar rastin kemi ndërmarre hapat e nevojshëm, duke i shkruar presidentit dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe Punëve të brendshme”.

Më pas Kastrati ka thënë se “përveç me institucionet e brendshme, kam komunikuar edhe me KFOR-in, duke e shprehur shqetësimin tonë si qytetarë të kësaj zone, ku pavarësisht koordinimeve dhe aksioneve të përbashkëta mes tyre, aq thellë nuk mund të hyjnë në territorin e Kosovës trupat serbe”.

“Kjo nuk është në përputhje as me Marrëveshjen e Kumanovës”, ka vënë theksin Kastrati

“Në rast se një veprim i tillë përsëritet, ne si komunë nuk kemi fuqi ekzekutive, por natyrisht se kërkojmë dhe mbajmë komunikim për ruajtjen e stabilitetit në këtë zone”.

Në fund Kastrati është shprehur se i ka kërkuar një raport KFOR-it, për rastin e ditës së djeshme, meqë nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.

 

Prononcimi i tij i plotë:

 

Cili është hapi i parë që ka ndërmarrë Komuna e Kamenicës me të kuptuar për rastin?

Qëndron Kastrati: Meqenëse ky nuk ishte rasti i vetëm ku xhandarmëria serbe ka hyrë në Karaçevë, me të kuptuar lajmin dje u kam nisur një shkresë Presidentit, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme, sepse mbrojtja e kufijve është në mandatin e qeverisë.

 

Sa ka kompetenca kryetari i Kamenicës për të kërkuar llogari lidhur me këtë rast?

Qëndron Kastrati: Në këtë rast ne si komunë nuk mundemi të marrim vendime lidhur me këtë çështje, por normalisht që mbajmë komunikim për ruajtjen e stabilitetit në këtë anë. Për këtë arsye, kemi kërkuar nga Qeveria që të marrin të gjitha masat e nevojshme konform kompetencave që kanë, të mos përsëritet një gjë e tillë.

 

Çfarë do të ndërmarrë qeverisja komunale në rast se një veprim i tillë përsëritet?

Qëndron Kastrati: Kam biseduar edhe me KFOR-in sepse askush nuk mund të hyj në atë pjesë pa pasur fillimisht leje të veçantë nga ta. Sipas tyre ka qenë kontroll i përbashkët me ushtrinë serbe, për çka edhe ua shpreha shqetësimin tonë si komunë sepse pavarësisht aksioneve të përbashkëta ata nuk kanë pasur të drejtë të hyjnë thellë brenda territorit. Madje kjo nuk ka qenë në përputhje as me Marrëveshjen e Kumanovës.

Nga KFOR-i është kërkuar një raport për rastin e ditës së djeshme sepse nuk është hera e parë që provokohen e terrorizohen banorët e fshatit Karaçevë. /Insajderi.com