Qeveria me 200 këshilltarë

Qeveria me 200 këshilltarë

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrat e tij do t’i kenë në dispozicion rreth 200 këshilltarë.

Haradinaj u ka gjetur punë 16 këshilltarëve në kabinetin e tij, përderisa njëri nga ministrat e tij në kabinet tashmë i ka “rehatuar” 7 këshilltarë politikë dhe dy asistente ekzekutive, shkruan ‘Zëri’.

Nga 7 deri në 10 këshilltarë pritet t’i kenë edhe 20 ministrat tjerë të kësaj Qeverie, përderisa paga e një këshilltari të ministrit sillet në 600 euro derisa këshilltarët e kryeministrit marrin pagë mujore prej rreth 1500 eurosh.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për pagat e këshilltarëve të kryeministrit dhe të ministrave brenda vitit nga buxheti i Kosovës shpenzohen rreth 2 milionë euro.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në ueb-faqen e këtij dikasteri qeveritar tashmë ka publikuar emrat e 7 këshilltarëve politikë, si dhe të dy asistenteve administrative.

Përveç numrit të madh të ministrive, Qeveria e Kosovës pritet t’i ketë rreth 50 zëvendësministra, të cilët po ashtu kanë të drejtë të emërojnë asistentë.