Qeveria dërgon një person në Komisionin Disiplinor për skandalin e “Plazma tenderit”

Qeveria dërgon një person në Komisionin Disiplinor për skandalin e “Plazma tenderit”

Pak ditë pas raportimeve të Insajderit për tenderin milionësh me të cilin Agjencia Qendrore e Prokurimit kërkonte të blinte produkte serbe për institucionet shtetërore të Kosovës, qeveria ka filluar të marrë masa për shkaktarët e këtij skandali.

Nga qeveria kanë konfirmuar se për këtë rast një person është dërguar në Komisionin Disiplinor nga Ministria e Financave, në kuadër të së cilës funksionon Agjencia Qendrore e Prokurimit.

“Sipas konfirminit nga Ministria e Financave një person është dërguar në Komisionin Disiplinor dhe në të njëjtën kohë po shqyrtohen të gjitha informacionet për rastin”, ka thënë për Insajderin zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi.

Agjencia Qendrore e Prokurimit kërkonte të blinte produkte serbe dhe të tjera që prodhohen në Serbi për t’i furnizuar disa institucione, përkundër që para 2 muajsh, qeveria e Kosovës i ka vendosur taksën doganore prej 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Në tenderin 23.5 milionë euro, te specifikat teknike ishin shënuar edhe artikujt: EuroKrem, Plazma, Vegetë, Pop-Kek, apo pashteta e pulës Argeta.

Disa prej produkteve të referuara janë të prodhuara në Serbi.

Pas presionit, Agjencia Qendrore e Prokurimit ishte tërhequr nga kërkesat e saj.

Pjesë e tenderit skandaloz në vlerë prej 23.5 milionë euro, përveç tjerash, ishin edhe pijet energjike Red Bull. Megjithatë, ato janë larguar nga lista e kërkesave të Agjencisë Qendrore të Prokurimit. Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin dje, Mursel Racaj, drejtor Drejtoratit për Prokurime të Veçanta.

“Krejt i kemi larguar. Ditëve vazhdim do ta bëjmë njoftimin publik në faqen tonë dhe do ta shihni konkretisht se ku janë bërë ndryshimet”, ka deklaruar Racaj.

Ndërkaq kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishin paralajmëruar masa radikale ndaj personave përgjegjës për këtë rast./Insajderi.com