Qeveria e miraton ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet

Qeveria e miraton ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet

Projekt-ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është miratuar nga kabineti qeveritar, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, njofton Insajderi.

Në mbledhjen e dytë të mbajtur sot nga Qeveria, me të vetmen pikë të rendit të ditës, këtë projektligj, kryeministri Albin Kurti, tha se sot janë mbledhur për të votuar projektligjin, i cili është iniciuar që nga legjislatura e gjashtë.

Ky Projektligj që u miratua unanimisht nga qeveria, do t’i dërgohet tashmë Kuvendit të Kosovës për tu votuar.

“Qeveria e Kosovës pas pranimit të përfundimit të Kuvendit të Kosovës të datës së sotme për dhënien e mendimit lidhur nismën legjislative për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i cili është ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 03/L-256 në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë dhe me përfundimin e Kuvendit të Kosovës jep mendim lidhur me nismën legjislative dhe e mbështet këtë nismë. Sipas kërkesës nga përfundimi i Kuvendit është përgatitur edhe opinioni për vlerësimin e ndikimit buxhetor që do t’i procedohet Kuvendit”, ka thënë Kurti.

“Ky Projektligj për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i ri. Ai është një gjë që u pat iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë dhe ka vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani po e miratojmë në qeveri për ta proceduar më tej për miratim në Kuvend. Ky projektligj është në funksion të garantimit të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe e mundëson votimin e bashkatdhetarëve për votim në ambasadat dhe konsullatat e Republikës duke ua krijuar mundësinë për pjesëmarrje më të lehtë në procesin zgjedhor duke filluar që nga zgjedhjet e ardhshme”, shtoi ai. /Insajderi.com