fbpx

Qeveria e pakicës ka rënë, zgjedhje për qeveri të shumicës

Shkruan: Muhamet Hamiti

Qeveria e pakicës ka rënë, zgjedhje për qeveri të shumicës

Qeveria e Republikës së Kosovës që ka rënë me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë qeveri e pakicës. E ka mbajtur në pushtet Partia Socialdemokratike, mbasi që Lista Serbe u tërhoq nga koalicioni qeverisës me PAN-in në mars të vitit 2018, nja gjashtë muaj mbas formimit të Qeverisë në shtator të vitit 2017.

Mbas rënies së Qeverisë së Kosovës, të gjitha partitë relevante të vendit, duke përfshirë edhe PDK-në, janë deklaruar të gatshme për zgjedhje të reja. Partitë opozitare (LDK dhe VV) ka kohë që i kërkonin. Vetëm zyrtarë të caktuar të PDK-së dhe komentues të çështjeve politike-kushtetuese, mbështetës të shpallur a të pashpallur të idesë për vazhdimin e kësaj qeverisjeje me ndonjë kryeministër tjetër, po angazhohen kundër zgjedhjeve të reja nacionale.

S’është e thënë të mbahen zgjedhje të reja në situatën si kjo aktualja në Kosovë, thonë ithtarët e këtij qëndrimi, duke e parë çështjen thjesht në rrafsh teorik, sikur numrat që s’janë të ishin aty.

Politika është veprim. Pushteti i pakicës nuk mund të veprojë në emër të shumicës në demokraci përfaqësuese.

Nuk ka pasur për më shumë se një vjet dhe nuk ka shumicë qeverisëse në Kosovë. Kjo do të bëhej e qartë, në situatë normale, me një votë (mos)besimi ndaj Qeverisë në Kuvend. Edhe pa këtë, kush ka sy e sheh, kush ka mend e kupton, se Qeveria e ka humbur besimin e shumicës moti.

A është Kosova një demokraci e stabilizuar për të funksionuar me një Qeveri të pakicës? Sigurisht jo.

Një sërë komentuesish, kryesisht nga qarku i të interesuarve për mbajtjen e klasës aktuale pushtetore në Qeveri, po argumenton se Kosova duhet të ketë për së shpejti një “Qeveri funksionale” për shkak të nevojës urgjente për rifillim të dialogut me Serbinë.

Është argument absurd ky – edhe pse ua mveshin ndërkombëtarëve, ambasadorëve të vendeve kryesore perëndimore në Kosovë, që sigurisht nuk janë naivë – sepse prioritet i Kosovës, bile imperativ, është që të ketë Qeveri me legjitimitet të provuar të shumicës, që do të qeverisë vendin, e jo dialogu me Serbinë. Imperativ dialogun mund ta ketë Serbia, sepse beson se Kosova është në pozitë të keqësuar ndërkombëtare, por jo Kosova. Mbasi i ngutet Serbisë, s’do të thotë se na ngutet edhe neve.

Kosova ka nevojë për Qeveri të besuar, nga vullneti i shumicës popullore, që dëshmohet në zgjedhje të reja për Kuvendin e Kosovës. Kjo Qeveri pastaj do të duhet të marrë mbi vete barrën e rëndë të mëkëmbjes së vendit, në rrafsh eknomik e social, por edhe për rehabilitimin e pozitës ndërkombëtare të vendit e zhvillimin e dialogut me Serbinë për njohje të Kosovës pa prekur kufijtë dhe karakterin unitar të vendit.

Shkurt e shqip, prioritet i Kosovës është Qeveria e shumicës, e jo Ekipi Negociator për Dialogun me Serbinë që do të dilte nga pakica aktuale qeverisëse, e cila edhe ashtu kishte hequr dorë nga kjo përgjegjësi kushtetuese, duke e lënë në dorë të Presidentit Thaçi e duke u qarë se ai s’po e bënte mirë dialogun. Mirë s’po e bënte sigurisht.