Hajdari tenton të arsyetohet për të emëruarit e bordeve – pranon se janë anëtarë të VV-së

Hajdari tenton të arsyetohet për të emëruarit e bordeve – pranon se janë anëtarë të VV-së

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e ka pranuar se disa nga të emëruarit në bordet e përkohshme të tri ndërmarrjeve publike në vend, janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, në tentim për të arsyetuar emërimin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në bordet e Postës së Kosovës, ndërmarrjes publike “Infrakos” dhe KRU “Prishtina”, ministrja Hajdari ka deklaruar se “ata janë profesionistë e jo militantë partie”.

“Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike”, ka thënë Hajdari. “Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash”.

Ministrja ka paralajmëruar ndërrimin e të emëruarve të përkohshëm, më së largu në stinën e vjeshtës.

“Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët”, ka thënë Hajdari.

Qeveria në detyrë e Kosovës, të enjten ka shkarkuar bordet e tri ndërmarrjeve publike: Postës së Kosovës, “Infrakos”-it dhe Ujësjellësit “Prishtina”.

Menjëherë pas shkarkimit, Albin Kurti e ka emëruar bordet e përkohshme të këtyre ndërmarrjeve.

Ky emërim është bërë fare pa konkurs dhe fare pa konsulta me kompaninë britanike që ishte caktuar për të mbikëqyrur procesin e të përzgjedhurve. Dy prej të emëruarve: Artan Dermaku dhe Mentor Hyseni, janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. /Insajderi.com