Qeveria ende pa plan për dialogun

“Këto pyetje tashmë kanë përgjigje. Mund t’u referoheni deklaratave publike të Kryeministrit Kurti dhe zv/kryeministrit Bislimi për dialogun”, ishte përgjigja e zëdhënëses së Qeverisë së Kosovës, Valbona Mehmeti, dhënë për Gazetën Online Insajderi.

Qeveria ende pa plan për dialogun

Kanë mbetur edhe pak ditë që nga rifillimi i bisedimeve me Serbinë, megjithatë Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur agjendën dhe programin lidhur me këtë proces.

Derisa është kritikuar nga opozita për mungesë transparence, shefi i qeverisë, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës të së enjtes, tha se takimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, nuk do të jetë vazhdimësi e dialogut, por diskutim për formatin e bisedimeve për të ardhmen. Ndaj, sipas tij, nuk mund të flitet për hartimin e një strategjie.

Të pyetur se a janë të përgatitur për këtë proces dhe a kanë një plan të qartë se si do të zhvillohen këto bisedime dhe se cilat do të jenë kërkesat e Kosovës karshi shtetit fqinj, nga Qeveria nuk kanë dhënë asnjë detaj.

“Këto pyetje tashmë kanë përgjigje. Mund t’u referoheni deklaratave publike të Kryeministrit Kurti dhe zv/kryeministrit Bislimi për dialogun”, ishte përgjigja e zëdhënëses së Qeverisë së Kosovës, Valbona Mehmeti, dhënë për Gazetën Online Insajderi.

Gazeta është interesuar të dijë nëse Qeveria planifikon që ta përfshijë edhe opozitën në procesin e dialogut dhe nëse po, me çfarë roli.

Megjithatë, përgjigja e tyre ishte sërish “diplomatike”.

“Sa i përket përfshirjes së opozitës, tashmë e dini që ka pasur takime dhe komunikata të Zyrës së Kryeministrit nga ato takimet. Aktualisht Kryeministri po flet në parlament për dialogun. Referojuni edhe këtyre shpjegimeve”.

Por, gjithçka që dihet deri më tani është se Kurti rreth dy javë më parë u ka bërë ftesë për takim tre lidervë të partive opozitare: Enver Hoxhajt nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhikut nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Hoxhaj refuzoi ftesën me arsyetimin se kryeministri nuk është transparent. Sipas tij, temat për të cilat udhëheqësi i ekzekutivit i kishte ftuar liderët opozitë, nuk diskutohen në “takime të mbyllura”.

“Transparencë dhe debat vetëm në Kuvendin e Kosovës”, kishte shkruar Hoxhaj, pas publikimit të letrës të cilën ia kishte drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Të njëjtën e thotë edhe sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi.

Ai në një prononcim për Insajderi-n deklaroi se kontributin e tyre si parti do ta japin në Kuvend.

“Qeveria Kurti është e papërgatitur. Nuk kemi parë asnjë platformë apo vizion. Edhe në letrën që ia kemi dërguar kryeministrit, i kemi treguar që kontributin tonë do ta japim në Kuvend. Qeveria nuk e di as vetë se çfarë roli do të ketë dhe cilat do të jenë kërkesat e saj në raport me Serbinë”.

I pyetur se çfarë do të bënte ndryshe PDK-ja po të ishte në qeveri, Gjoshi tha se “ne kemi ofruar platformë para qytetarëve edhe gjatë vitit 2018, por në atë kohë na janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe dhunë. Por, gjatë kohës sa e kemi drejtuar dialogun për tri vite, janë parë sukseset në këtë proces”.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se roli i tyre në dialog do të realizohet përmes deputetëve të saj në Kuvend.

“Aleanca ka dalë me qëndrim për dialogun, ku mes tjerash kemi kërkuar rol të qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe transparencë në këtë proces”, pohoi për Insajderi-n Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.

Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar një emisar të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, të ngarkuar për dialogun.

“Dialogu merr kahje serioze nëse është i mbështetur nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë e fuqive të tjera evropiane, e jo përmes burokratëve”, tha tutje Blaka.

Përfshirje të SHBA-së në dialog ka kërkuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai pas takimit me Kurtin, para mediave njoftoi se ia kanë dorëzuar një dokument të pozicionit politik të LDK-së lidhur me dialogun me Serbinë.

Abdixhiku tha se i kanë kërkuar Qeverisë të ketë një pozicion politik dhe të njëjtin ta prezantojë në Kuvend./Insajderi.com