Qeveria ende s’ka dërguar komente në ZRrE për çmimin e rrymës, sot përfundon afati

Qeveria ende s’ka dërguar komente në ZRrE për çmimin e rrymës, sot përfundon afati

Të hënën e 31 janarit përfundon afati për të dhënë komente për raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike, ndërkohë Qeveria e Kosovës akoma nuk ka dërguar komentet e saj.

Deri tani, ZRRE-ja ka pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), KOSTT, KEDS dhe KESCO.

“ZRrE gjatë procesit të konsultimit publik, në kuadër të Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interesit, si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

Kjo zyrë ka bërë të ditur se është duke pranuar komente edhe nga konsumatorët dhe të njëjtat do t’i publikojë gjatë ditëve në vijim.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media të mbajtur rreth një javë më parë, pati deklaruar se propozimi i ZRrE-së nuk është final dhe se do ta trajtojnë e do të japin propozime “aty ku duhet”.

“Propozimi i ZRrE-së nuk është final dhe do ta trajtojmë, ku do të japim propozime shtesë aty ku ka nevojë”.

Edhe kryeministri Albin Kurti të martën e 25 janarit, para mediave tha se Qeveria e Kosovës do t’i dërgojë komentet e saj lidhur me shqyrtimin e çmimit të rrymës.  

“Ne do t’i dërgojmë komentet tona. ZRrE është institucion i pavarur shtetëror. Ta zëmë, unë nuk e kam numrin e telefonit të kryesuesit të bordit, mirëpo ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi do t’i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që bordi i ZRrE-së bazuar me raportin e vet, t’i trajtojë edhe sugjerimet e të tjerëve”, ishte shprehur ai.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar raportin konsultativ për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet.

Propozimi i ZRrE-së ka qenë që rryma të shtrenjtohet në përgjithësi me 9 për qind, derisa nëse kalohet shifra prej 600 kilovatë orë, të futet në përdorim bllok-tarifa.

Me sistemin e bllok-tarifës rryma paguhet gati trefish më shumë sesa çmimi i saj paraprak./SHQIP.com

Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike