Qeveria gjermane emëron emisarin special për Ballkanin Perëndimor

Qeveria gjermane emëron emisarin special për Ballkanin Perëndimor

Qeveria gjermane ka emëruar politikanin Manuel Sarrazin, si të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

Sarrazin është ish-deputet i Bundestagut nga radhët e partisë së Gjelbër.

Mediat vendase raportojnë se ky është një pozicion i ri në administratën shtetërore.

Përfaqësuesi i ri gjerman për Ballkanin Perëndimor do të punojë në mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe do të promovojë transformimin ekologjik të sektorit industrial dhe energjetik të Gadishullit.

Manuel Sarrazin, i cili me profesion është historian, ka qenë deputet i Bundestagut nga viti 2008 deri në vitin 2021. Aktualisht është president i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), e cila është e specializuar në marrëdhëniet e Gjermanisë me rajonin.

Emërimin e Sarrazin në këtë pozitë e ka mirëpritur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, derisa ka thënë se Ballkani Perëndimor ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian.

“BP ka nevojë për një mbështetje të fortë dhe parimore nga Bashkimi Evropian dhe ai është një nga personat më të mirë mes të Gjelbërve në Gjermani për të marrë këtë post, pasi ai është një mbështetës i vendosur i Zgjerimit të BE-së në rajon”, ka shkruar ajo në “Twitter”./Insajderi.com