Qeveria hesht karshi kërkesës së Telekomit për garanci bakare

Një kredi prej 7.8 milionë euro, besohet se do të mund ta stabilizonte gjendjen në të cilën është përfshirë Telekomi i Kosovës. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje ka prezantuar para kabinetit qeveritar projektet specifike për të dal nga kjo situatë, për realizimin e të cilave u duhen këto mjete. Por për të marrë kredinë, Telekomit i duhet garancion nga shteti, mirëpo qeveria për katër muaj, prej kur i është bërë kërkesa, ka heshtur. MZHE flet për falimentim të ndërmarrjes

Qeveria hesht karshi kërkesës së Telekomit për garanci bakare

Ka katër muaj që Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, është duke pritur për një garanci shtetërore që të mund të marr një kredi, përmes së cilës synon ta stabilizoj gjendjen në të cilën ndodhet.

Kjo ndërmarrje publike ka planifikuar të marrë kredi prej 7.8 milionë eurosh në bankat vendore komerciale. Për këtë Menaxhmenti i Telekomit i ka dërguar një kërkesë për ndihmë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, shkruan Insajderi.

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, thotë se përveç që nuk kanë marrë garancion, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që është edhe aksionare e Telekomit, në vazhdimësi thotë se është pranë falimentimit.

“Vet Ministria e Zhvillimit Ekonomik del në opinionin publik thotë se Telekomi është para falimentimit. Kur vet aksionari direkt del publikisht thotë telekomi është në prag të falimentimit, atëherë si të na besojnë bizneset që me lidh kontrata për shërbimet tona”, tha Istrefi.

Istrefi thotë se për projekte përmes së cilave do ta shpëtonin ndërmarrjen, nuk kërkuan para nga qeveria por vetëm garancionin për marrjen e kredisë.

“Po e dëshmoj që përmes projekteve ka me u kruiju stabilitet, sot po të thom ama një garancion bankar që këtë kontratë ta implementoj sa ma shpejt që është e mundur që mos të mbesin sistemet tona pa përkrahje teknike. Dhe ai garancio bankar që ka vlerën 6.9 milionë euro edhe atë nuk mund të ma jep shteti”, tha Istrefi në një emision televiziv në Klan Kosova.

Insajderi ka kërkuar sqarime nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik lidhur me këtë çështje. Kjo ministri nuk ka treguar se cilat janë arsyet se pse ky garancion nuk është lëshuar tash e katër muaj që nga parashtrimi i kërkesës nga Telekomi.

Derisa në Ministrinë e Financave thonë se e kanë shqyrtuar këtë kërkesë dhe menjëherë e ka njoftuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për kushtet ligjore që duhet plotësuar për të vazhduar me procedurat tjera.

“Kjo çështje është e rregulluar me legjislacion në fuqi dhe në mënyrë shumë të qartë (shprehimore)  janë dhënë parakushtet që duhet plotësuar një Institucion në mënyrë që Qeveria të lëshoj garancion, andaj edhe njëherë  Ministria e Financave e ka udhëzuar MZHE-në se cilët hapa duhet ndjekur që të jetë në harmoni me ligjin dhe më pas të procedojnë me kërkesën e re konform kushteve ligjore të plotësuara për dhënie të garancionin”, tha zëdhënësi i Minisrtisë së Finacave, Muharrem Shahini.

Shahini tha se pas kësaj përgjigje nuk ka pasur asnjë kërkesë tjetër nga MZHE-ja.

Gazeta ka kërkuar edhe nga Zyra e kryeministrit të Kosovës të dijë nëse Ministria e Zhvillimit Ekonomike e ka proceduar në Qeverinë, dhe cilat janë arsyet që është shpërfillur gjithë këta muaj kjo kërkesë e Telekomit, por zyra e kryeministrit nuk e ka komentuar këtë çështje./Insajderi.com