Qeveria miraton kontratën për Rrugën e Arbrit

Qeveria miraton kontratën për Rrugën e Arbrit

Kontrata për ndërtimin e rrugës së Arbrit mori edhe vulën e qeverisë. Është ky vendimi që u miratua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave e bërë publike nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Kontrata u firmos në shkurt të këtij viti mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë Gjoka sh.a. Kostoja e rrugës është parashikuar 240 milionë euro dhe shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13-vjeçare.

Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij. Ai gjithashtu do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës gjatë të gjithë periudhës së koncesionit.

Pritet që shoqëria e kontraktuar të nisë punimet brenda vitit. Rruga e Arbrit konsiderohet si një vepër e vështirë nga pikëpamja inxhinierike, për shkak të relievit në të cilin kalon.