Qeveria ndan 430 mijë euro për pagesat e specializantëve

Qeveria ndan 430 mijë euro për pagesat e specializantëve

430 mijë euro janë ndarë në mbledhjen e sotme të Qeverisë për pagesën e specializantëve për muajin korrik të këtij viti, njofton Insajderi.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë thirrje që të miratohen këto mjete, në mënyrë që të mos ketë vonesa në pagesat e specializantëve.

“Këtë ndryshim e kemi reflektuar në rishikim të buxhetit. Por duke qenë se sot është miratuar, duhet të marr sot këtë vendim e pastaj i rishikojmë kushtet. 430 mijë euro për specializantët për muajin korrik 2021. Duke e konsideruar shumë të rëndësishme ju ftoj që të miratoni këtë propozim”, ka thënë Murati.

Këtë të mërkurë kabineti qeveritarë ka miratuar edhe një sërë vendimesh tjera.

Mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, kryeministri Kurti e ka nisur duke shprehur mirënjohje për Kroacinë për ndihmën e saj ndaj të lënduarve në aksidentin që ndodhi të dielën e 25 korrikut në Sllavonski Brod.

Kurti gjithashtu iu shprehu ngushëllime të gjithë familjarëve të të vdekurve, derisa premtoi se do të qëndrojnë pranë bashkatdhetarëve.

“U shprehu ngushëllime për viktimat. U shpreh mirënjohje Kroacisë për ndihmën e dhënë. Qeveria do tu qëndrojë me bashkatdhetarët”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme kanë arritur në Kosovë tetë nga dhjetë trupat e pajetë të viktimave nga aksidenti tragjik në Kroaci, derisa varrimi i tyre do të bëhet pasditen e sotme, derisa mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar kanë arritur 21 nga të mbijetuarit e aksidentit që janë në gjendje të mirë shëndetësore.

10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin tragjik të autobusit nga Kosova, që po udhëtonte nga destinacioni Frankfurt-Prishtinë, që ndodhi mëngjesin e së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë. /Insajderi.com