Qeveria ndan mbi 10 milionë euro mbështetje për ndërmarrjet publike, përgjysmon vlerën e dividendës së PTK-së

Qeveria ndan mbi 10 milionë euro mbështetje për ndërmarrjet publike, përgjysmon vlerën e dividendës së PTK-së

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë shumën buxhetore prej 10 milionë e 860 mijë eurosh si mbështetje për Ndërmarrjet Publike, përcjell Insajderi.com.

Në mbledhjen e së premtes, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të Qeverisë në vitin 2015 për kërkesën e deklarimit dhe ekzekutimit të dividendës nga Telekomi, ku është kërkuar që vlera e saj të zbritet nga 30 në 15 milionë euro.

“Së pari, sipas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 10,860,000 € (dhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë euro), për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.

Dhe së dyti, është miratuar vendimi për shfuqizimin e pjesshëm të Vendimit  të Qeverisë Nr. 17/20, të datës 24.03.2015, për kërkesën e deklarimit dhe ekzekutimit të dividendës nga Ndërmarrja Publike “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh. A. (PTK), me ç’rast vlera e dividendës së kërkuar zbritet nga 30.000.000 €  (tridhjetë milionë euro) në 15.000.000 € (pesëmbëdhjetë milionë euro)”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Insajderi.com