Qeveria ndan mjete shtesë për Shërbimin Korrektues, Doganën, ATK-në e AUV-in

Qeveria ndan mjete shtesë për Shërbimin Korrektues, Doganën, ATK-në e AUV-in

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur mbledhjen e 69-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente sipas përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, transmeton Insajderi.

Një ndër vendimet që u mor në këtë mbledhje nga kabineti qeveritar ishte ai për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e shtesës në pagë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë COVID-19, si dhe plotësim ndryshimin e vendimeve të Qeverisë që kanë të bëjnë me mjetet nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve shtesë financiare për Ministrinë e Shëndetësisë, në vlerë prej 10 milionë euro, për blerjen e materialeve, aparaturave mjekësore si dhe angazhimin e personelit shëndetësor dhe mbështetës, për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Gjithashtu, është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej tetë milionë euro, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, të cilat do të destinohen për subvencionimin e tarifës për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 500 mijë euro, për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për kryerjen e obligimeve financiare të kësaj ministrie.

Qeveria në këtë mbledhje, po ashtu ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990 të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, që kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datën 2 korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka aprovuar edhe kërkesën e Sindikatës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000 € (dyzetmijë euro) për mbështetje financiare për punonjësit e saj.

Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 09/09 të datës 01.07.2020 për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.

–          Kaltrina Nuhiu, Ministria e Drejtësisë- zv.kryesuese;

–          Agim Krasniqi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, anëtar;

–          Mehmet Morina, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;

–          Kaltrina Hyseni, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, anëtare.

Miratimin e Qeverisë e kanë marrë nismat për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë midis Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Investime, për financimin e projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 për NVM-të”, si dhe për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bashkimi Evropian, i përfaqësuar nga Komisioni Evropian, për Projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë”.

Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar edhe vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 mars deri më datë 31 tetor 2021. /Insajderi.com