Qeveria nuk di si të veprojë me Listën Serbe

Qeveria nuk di si të veprojë me Listën Serbe

Deputetët e Listës Serbe kanë qëndruar dje në Beograd, ku janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq.

Në këtë takim që u zhvillua një ditë pas arrestimit të Gjuriqit në veri të Mitrovicës nga policia e Kosovës, serbët kanë marr një vendim që ndërlidhet me Qeverinë e Kosovës, shkruan Indeksonline.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka njoftuar se pas zhvillimeve në veri, kanë marr  vendim që të largohen nga Qeveria Haradinaj dhe menjëherë të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këtë vendim të deputetëve serb të Kuvendit të Kosovës nuk e ka komentuar Qeveria e Kosovës, duke thënë se është herët të jepen konkluzione.

Në një prononcim për Indeksonline, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka thënë se në ditët e ardhshme do të qartësohet kjo çështje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se është ende herët për të dhënë konkluzione për situatën. Besojmë që në ditët dhe në javët e ardhshme do të ketë qartësime dhe opinioni do të njoftohet me kohë”, ka thënë shkurt Gashi.

Kujtojmë se Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës ka 10 deputetë.