Qeveria: Vendimet tona po rrjedhin në media nga “kapësit e shtetit” brenda Kryeministrisë

Qeveria: Vendimet tona po rrjedhin në media nga “kapësit e shtetit” brenda Kryeministrisë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, deklaroi se vendimet e nënshkruara nga kryeministri Albin Kurti, po rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, njofton Insajderi.

Ai tha se këtë po e bëjnë “kapësit e shtetit” të cilët sipas tij, ndodhen brenda Kryeministrisë.

“Që nga fillimi kryeministri Kurti dhe kabineti i tij sfidohen nga individë ende të panjohur nga administrata e Zyrës së Kryeministrit. Vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga ai, shpesh, vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, dhe madje përgatiten shkresa me gabime teknike. Kapësit politikë të shtetit i kemi larguar me 14 shkurt dhe 22 mars, por sigurisht se ka shumë të tillë nëpër zyrat e shtetit”, shkroi Kryeziu në profilin e tij në Facebook.

Ai tutje u shpreh se vendimi nga mbledhja e fundit, është përmirësuar menjëherë.

Fjala është për vendimin për nënshkrimin e marrëveshjes për financimin dhe zbatimin e projektit Heras+, vendim ky që lidhet më arsimin në vend. Në këtë vendim të publikuar në media ka figuruar emri i ish-kryeministrit Avdullah Hotit dhe nënshkrimi i kryeministrit aktual Albin Kurtit.

“Dokumenti i përmirësuar është protokolluar, por megjithatë shkresa e vjetër, para se të asgjësohet, është publikuar nga adminstrata. Administrata duhet t’i shërbejë kryeminsitrit të shtetit, jo ta luftojë atë”, përfundoi Kryeziu./Insajderi.com