Qindra banorë dyshohet se u helmuan nga uji, flet kryetari i Deçanit

Qindra banorë dyshohet se u helmuan nga uji, flet kryetari i Deçanit

Ndonëse rreth 320 banorë të disa fshatrave të komunës së Deçanit, kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj”, dhe dyshimet e para janë se shkak është helmimi nga uji i pijes, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, thotë se kjo gjendje nuk është krijuar vetëm nga një ujësjellës meqë ka kapluar të gjithë territorin e Deçanit.

Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, Ramosaj thotë se Deçani ka rreth pesë ose gjashtë ujësjellësa dhe vetëm KRU “Hidrodrini”, nuk është i mjaftueshëm për të sjellë këtë gjendje me të cilën po përballet ky vend nga mbrëmja e djeshme.

Ai shton se deri në rezultatet e analizave të mostrave të dërguara për testim në Institutin të Shëndetësisë Publike në Pejë, nuk mund të supozojë për asnjë arsye që ka çuar në helmimin e qindra qytetarëve.

“Nuk i kemi ende rezultatet e analizave të Institutit të Shëndetësisë, dhe çkado që flasim deri më tani vetëm mund të japim supozim. Mostra të ujit janë dërguar për analizë mbrëmë dhe prap është dërgu në mëngjes sot dhe deri nesër nuk del mostra e analizës së ujit, mirëpo ajo që duhet të tregohet për këtë gjendje është se Deçani ka diku rreth pesë ose gjashtë ujësjellësa dhe nuk është gjendje që është krijuar vetëm nga një ujësjellës, por është në të gjithë territorin e Deçanit dhe krejt çka flasim tani mund të supozojmë dhe tani nuk jam në gjendje për të thënë se ka ndonjë arsye”, ka thënë ai.

Ramosaj i cili është i pranishëm në QKMF të Deçanit, bëri të ditur nga vendi i ngjarjes se qytetarët vazhdojnë të kenë të njëjtat simptoma që kur kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Qytetarët vazhdojnë të jenë me të njëjtat simptoma”, tha ai.

Siç bëhet e ditur nga mjekët kujdestarë, simptomet të cilat i kanë përcjellë këta qytetarë janë vjellje dhe diarre.

Edhe nga Policia Rajonale e Pejës thonë për redaksinë se kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe dihet se janë marrë mostra për testim, por deri në rezultatet e këtyre analizave nga institucionet kompetente, nuk mund të ndërmarrin asnjë hap.

Lidhur me rastin, Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”, ka lëshuar një apel nga njësia operative e Deçanit, që në disa fshatra mos të konsumohet uji për pije deri në një njoftim tjetër.

Kjo kërkesë është bërë për banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

“Pas shfaqjes së dyshimeve të para, të pavërtetuara deri më tash, KRU ‘Hidrodrini’-Njësia Operative – Deçan, në koordinim edhe me autoritetet komunale, ka marrë të gjitha masat urgjente duke hulumtuar shkaqet e mundshme. Njoftojmë se deri në këtë çast, nuk ka asnjë bazë të vërtetuar se shqetësimet në fjalë mund të kenë ardhur /ose/ mos ardhur, si pasojë e ujit. Andaj, deri në kthimin e analizës së Ujit nga ana e IKSHPK-së, ky APEL mbetet në fuqi”, thuhet në njoftimin e “Hidrodrinit”. /Insajderi.com