Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka publikuar disa të dhëna rreth monitorimit të rastit të vdekjes së aktivimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
QKRMT thotë se “në evidencat zyrtare të Qendrës së Paraburgimit në Prizren ka gjetur se rasti i Astrit Deharit është evidentuar si tentim vetëvrasje. Ndërsa në përshkrimin e rastit është evidentuar se është gjetur me puls dhe frymëmarrje normale”.
“Në këto evidenca është regjistruar se mjekët e ndihmës emergjente gjatë ndihmës së parë i kanë bërë aspirimin pasi kanë dyshuar se i ndjeri Astrit Dehari “ka pirë diçka”. Këto të dhëna janë evidentuar në dy regjistra zyrtarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, sqaron QKRMT.
Duke marrë për bazë raportin preliminar të autopsisë se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia, QKRMT thotë se ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prizren që në hetime të përfshihet edhe procesi i ofrimit të ndihmës së parë, për shkak të tri rrethanave të ndryshme që e kanë përcjellë rastin.
“Evidentimi zyrtar se kishte puls dhe frymëmarrje normale, evidentuar nga infermierja kujdestare e qendrës së paraburgimit, e cila është personi i parë shëndetësorë që e ka parë; evidentimi zyrtar se nga mjekët e urgjencës iu është bërë aspirimi për shkak se kanë dyshuar se “ka pirë diçka”, evidentuar nga infermierja kujdestare e qendrës së paraburgimit; sipas raportit të autopsisë, shkaktari i vdekjes ka qenë asfiksia”, ka shfaqur tri dilemat në këtë rast QKRMT.
QKRMT më tej thotë se, duke respektuar fazën e hetimeve dhe ndjeshmërinë e çfarëdo informacioni të ndërlidhur, ka paraqitur këto shqetësime dhe ka kërkuar që të konsultohen ekspertë të pavarur për të konstatuar se a është dhënë ndihma e duhur mjekësore nga momenti i parë deri në konstatimin e vdekjes.
Në raportin zyrtar të QKRMT-së dërguar institucioneve kompetente, është kërkuar që të hetohen edhe çështje të tjera procedurale lidhur me rastin, për të cilat QKRMT shpreson se do të merren në konsideratë nga organet përkatëse./Insajderi.com