Qorrolli: Votat e minoriteteve po manipulohen nga Lista Serbe

Qorrolli: Votat e minoriteteve po manipulohen nga Lista Serbe

Juristi Vigan Qorrolli ka folur mbi dyshimet e ngritura për manipulim të votave nga Lista Serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, njofton Insajderi.

Dyshimet u ngritën nga komunitetet pakicë në vend, kryesisht ai boshnjak dhe egjiptian se Lista Serbe kishte manipuluar përmes Iniciativës Rome, një strukturë e re, për ta fuqizuar rolin e tyre në Kuvend.

Qorrolli në emisionin Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo është bërë me direktivë të Listës Serbe, sipas tij, ashtu siç ishte futur fillimisht në Kuvend duke përjashtuar partitë tjera nga i njëjti komunitet.

“Kjo është bërë me direktiva të Listës serbe, që unë e quaj një lloj të djallit kushtetues brenda sistemit tonë politik, u krijua tek me marrëveshjen e Brukselit, me direktivën e Vuçiqit dhe arriti të futet në kuvend pa asnjë therrë në këmbë duke i përjashtuar partitë e tjera pakicë tradicionale”, tha ai.

Qorrolli thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të vërtetojë nëse votat të cilat i kanë shkuar Iniciativës Rome nga qytete ku numri i këtij komuniteti është shumë i vogël ose që nuk ka asnjë të tillë, janë të vërteta dhe nëse ato prodhojnë legjitimitet.

Ai thotë se partitë tjera ashtu edhe individët e pakënaqur me këtë situatë mund të arrijnë deri në Gjykatën Kushtetuese me ankesë.

Qorrolli insiston se duhet të vërtetohet nëse këto vota kanë karakter përfaqësimi./Insajderi.com