Qosja thotë se bisedimet me Serbinë duhet t’i quajmë shtetërore, e jo dialog

Qosja thotë se bisedimet me Serbinë duhet t’i quajmë shtetërore, e jo dialog

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se dinjiteti shtetëror i Kosovës ruhet vetëm duke i quajtur bisedimet me Serbinë, si bisedime shtetërore e jo dialog.

Sipas Qosjës, në dramën e sotme teatrore e politike mes Prishtinës e Beogradit politikanët dhe intelektualët e Kosovës dy gjëra më në fund do të duhej t’i kishin të qarta.

“E para, mes Prishtinës e Beogradit nuk bëhet dialog: dialogu bëhet mes dy vetëve apo grupeve për punë të ndryshme, kur e kur serioze e kur e kur joserioze. Mes Prishtinës e Beogradit ka kohë që po bëhen e do të bëhen bisedime zyrtare, politike dhe diplomatike shtetërore. Vetëm duke i quajtur këto bisedime shtetërore e jo dialog ne e ruajmë dinjitetin shtetëror të Kosovës”, ka shkruar Qosja në Facebook.

Ai më tej ka folur edhe për deklarimet politike nënshtruese dhe mohuese ndaj luftës së UÇK-së, që sipas tij ishin përmbajtje e mendimeve të presidentit Ibrahim Rugova dhe Nexhat Dacit, duke thënë se në bisedime me Serbinë nuk dilet me këso lloj deklarimesh.

“E dyta, në pazarin e sotëm të bisedimeve zyrtare, politike e diplomatike shtetërore mes Prishtinës e Beogradit nuk dilet me deklarimet politike nënshtruese, mohuese ndaj luftes së Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, që ishin përmbajtje e mendimeve të Kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugova dhe argatit të tij Nexhat Daci. Historia mund të falsifikohet siç po faksifikohet sot nën dhunën e terrorin politik të oligarkëve politikë e të partive e çdrejtuesve te tyre, por s’mund te falsifikohet përgjithmonë”, ka përfunduar Qosja shkrimin e tij në Faceobok.