“Më quajtën kriminel për një reagim” – rrëfimi i Axel Torres për Katalonjën, Kosovën dhe referendumin

Cili është qëndrimi i FC Barcelonës për pavarësinë e Katalonjës? Çfarë qëndrimi mbajnë futbollistët e kombëtares së Spanjës për pavarësinë e Katalonjës? Çfarë e dallon Kosovën nga Katalonja? Pse Gerrard Pique është armiku numër një i tifozëve të Spanjës? Gazetari i njohur katalanas Axel Torres rrëfen për Insajderin situatën e krijuar pas referendumit në Katalonjë.

“Më quajtën kriminel për një reagim” – rrëfimi i Axel Torres për Katalonjën, Kosovën dhe referendumin

Axel Torres bën një jetë të ndarë mes dy rajoneve spanjolle: Madridit dhe Katalonjës. Gjysmën e ditëve të javës i kalon në qendrën e Katalonjës, Barcelonë, ndërsa gjysmën tjetër në kryeqytetin spanjoll, Madridin.

Gjatë ditëve të javës, Torres punon si gazetar në stacionin e njohur të radios Cadena SER, në Madrid. Ndërkaq, gjatë vikendit ai komenton ndeshjet e La Ligës, për televizionin BeIN Sports të Spanjës.

Por, gazetari sportiv i lindur në Barcelonë, thotë se jeta e tij ka ndryshuar pas referendumit të mbajtur të dielën në rajonin veri-lindor të Spanjës.

Torres, në një intervistë ekskluzive për Insajderin, rrëfen për situatën e krijuar në Spanjë, veçanarisht pas referendumit të mbajtur në Katalonjë, ku policia spanjolle ushtroi dhunë mbi votuesit katalanas, raporton Insajderi.

34-vjeçari Axel Torres është duke shkruar një libër për futbollin e Kosovës. Ai tregon dallimet mes futbollit kosovar dhe atij katalanas.

Intervista e plotë:

 

Insajderi: Si do ta shpjegonit situatën e krijuar pas referendumit të mbajtur të dielën në Katalonjë dhe Spanjë?

Axel: Kanë qenë ditë shumë të vështira. Pas ngjarjeve të së dielës, të martën u mbajt një grevë e përgjithshme në të gjitha qytetet katalanase për të dënuar represionin policor. Në këto demonstrata kishte edhe flamuj spanjollë: njerëzit që ishin kundër pavarësisë marshuan së bashku me mbështetësit e pavarësisë – të cilët ishin shumicë në këto demonstrata. Gjithashtu, kishte njerëz që refuzuan të dy flamujt sepse nuk besojnë në kombe dhe kufij. Unë do të thosha se në Katalonjë, shumica e popullsisë – pa qenë e rëndësishme nëse duan që të pavarësohen nga Spanja apo jo – mendojnë se ndërhyrja e policisë kundër popullsisë civile nuk ishte e drejtë. Në pjesën tjetër të Spanjës, vetëm partitë e krahut të majtë mendojnë njëjtë – dhe madje jo të gjithë prej tyre. Përkrahësit e partive të djathta, dhe madje edhe një pjesë e votuesve të PSOE – socialdemokratëve – mendojnë se intervenimi i policisë ishte i nevojshëm për të parandaluar mbajtjen e referendumit dhe për tu siguruar se nuk ishte thyer ligji. Mesazhit të Mbretit të Spanjës iu gëzuan këta njerëz në Spanjë, që dëshirojnë veprime të forta kundër lëvizjes separatiste katalane. Katalanasit dhe partitë spanjolle të krahut të majtë e fajësuan atë [Mbretin spanjoll v.j] për faktin se nuk foli për të plagosurit në Katalonjë nga ndërhyrja e policisë dhe për shkak se ai refuzoi të dialogonte me separatistët katalanas. Unë do të thosha se tani njerëzit në Katalonjë janë të frikësuar. Përkrahësit e pavarësisë duan që Presidenti i Katalonjës të deklarojë pavarësinë, por të gjithë e dinë se kjo do të sillte një ndërhyrje ushtarake në rrugët e Katalonjës.

Insajderi: Si gazetar sportiv, sigurisht që i ndjeni më ndryshe këto ndarje në Spanjë, pas ngjarjeve të fundit. Sa serioze është kjo ndarje mes njerëzve në Spanjë?

Axel: Unë nuk kam pasur kurrë probleme në ‘botën reale’. Askush s’ka qenë agresiv ndaj meje në rrugë – ende jo – madje edhe në Madrid, ku i kaloj tre ose katër ditë çdo javë. Por në rrjetet sociale, po, ka pasur raste kur jam keqtrajtuar. Kam humbur më shumë se 2.000 ndjekës në Twitter brenda dy ditëve pasi dënova represionin policor dhe postova një fotografi të një demonstrate në qytetin tim, si dhe shkorsa se jam krenar me njerëzit e qytetit tim. Unë nuk thashë asgjë për pavarësinë, por shumë njerëz vendosën të më quanin separatist, ndarës, kriminel për thyerje të ligjit si dhe si një njeri që duhet të largohet nga shteti ose të përfundoj në burg. Padyshim, shuam njerëz mendonin se unë nuk duhet t’i komentojë më ndeshjet e La Ligas spanjolle në futboll. Një gazetë e ekstremit të djathtë tha se unë po përdorja komentimin e një ndeshje futbolli në televizion për të përcjell mesazhe politike që mbështetin pavarësinë e Katalonjës, edhe pse unë thashë të dielën – ditën e referendumit – se ndeshja midis Barcelonës dhe Las Palmasit nuk duhet të luhet, për shkak të tensionit të madh që mbizotëronte në qytet dhe shumë njerëzve që mbetën të plagosur pas ndërhyrjes së policisë. Ndeshja e parë që do më duhet ta ndjek dhe ta komentojë në një stadium të Spanjës, pas mbajtjes së referendumit, do të jetë të shtunën më 14 tetor, kur më duhet të komentoj ndeshjen mes Getafes dhe Real Madridit. Getafe është një qytet pranë Madridit, kështu që të dy grupimet e tifozëve janë nga rajoni i kryeqytetit të Spanjës. Unë nuk do të thosha që po frikësohem, por natyrisht që nuk e shoh këtë udhëtim si një nga më të preferuarit e mi.

Insajderi: Çfarë pasoja mund të ketë në futbollin spanjoll shpallja e mundshme e pavarësisë në Katalonjë?

Axel: Presidenti i La Ligës është Javier Tebas, i cili është një nacionalist spanjoll. Dhe ky s’është vetëm një opinion i imi: ai është anëtar i një partie të ekstremit së djathtë, e cila është franko-nostalgjike, por nuk ka përfaqësim parlamentar. Ai gjithmonë ka thënë se nuk do t’i lejonte ekipet katalanase në La Liga nëse shpallet pavarësia. Bordi i Barcelonës thotë se ata mendojnë se qëndrimi në La Liga do të ishte opsioni më i mirë për Barcelonën dhe La Ligën. Ata argumentojnë se La Liga do të humbasë shumë vëmendje ndërkombëtare nëse ata nuk kanë rivalitetin mes Real Madridit dhe Barcelonës. Shumica e tifozëve të Barcelonës, madje edhe përkrahësit pro pavarësisë, kanë të njëjtin mendim. Natyrisht, nëse pavarësia e Katalonjës nuk do njihej ndërkombëtarisht, Liga e Katalonjës nuk do të anëtarësohej në UEFA që nga dita e parë, kështu që ekipet katalanase do të kishin shumë vështirësi të luanin në garat evropiane nëse nuk do të jenë në ligën spanjolle. Këtë gjë, padyshim që Barcelona dëshiron ta shmangë. Klubi i Barcelonës është në një pozitë të vështirë: tradita e tyre politike anon kah mbështetja e lëvizjes së katalanizmit, por në një kuptim praktik klubi mund të humbas shumë pushtet pas pavarësisë.

Insajderi: Sa serioze është thirrja për pavarësi në Katalonjë dhe a ekziston mundësia e përplasjeve mes tifozerive në ndonjë ndeshje futbolli të La Ligës?

Axel: Thirrja për pavarësi është e rëndësishme dhe serioze në Katalonjë, por nuk mund ta dimë se sa njerëz po e mbështesin atë. Në zgjedhjet e fundit, dy vjet më parë, 48 për qind e votuesve e donin pavarësinë, por nuk mund të thuash se 52 për qind nuk ​​e donin atë, sepse kishte një pjesë të njerëzve me rreth 10 për qind të votave që nuk dëshironin që vota e tyre të numërohej si PO apo JO, sepse siç thoshin ata, nuk besonin në nacionalizëm dhe vetëm dëshironin që të flisnin për problemet sociale. Në referendumin e së dielës, 38 për qind e njerëzve që kanë të drejtë vote votuan për pavarësi, por shumë njerëz nuk arritën të votonin për shkak të ndërhyrjes së policisë. Është shumë vështirë ta dimë tani se sa njerëz do të votonin pro pavarësisë – do të thosha se ka shumë njerëz që mund të votonin kundër pavarësisë, mirëpo reagimi i policisë të dielën ka bërë që ndoshta disa nga këta njerëz neutralë, të ndryshojnë mendje dhe të votojnë për pavarësinë. Në stadiume, padyshim mund të ketë përleshje në qoftë se mbështetësit e Barcelonës udhëtojnë në territoret spanjolle ose nëse mbështetësit e skuadrave spanjolle udhëtojnë në Barcelonë apo Gironë. Tani për tani, përkrahësit e pavarësisë dhe të demonstratave kanë qenë shumë pacifist, por tensionet mund të rriten në ditët në vijim, posaçërisht nëse shpallet pavarësia dhe ushtria spanjolle ushtron dhunë nëpër rrugët e qyteteve katalane.

Insajderi: Sa skuadra katalanase janë në La Liga dhe sa lojtarë katalanas luajnë në ekipin kombëtar spanjoll? Cilat janë qëndrimet e tyre, përveç Pique që ka shpalosur qëndrimet e tij tashmë?

Axel: Ekzistojnë tri skuadra katalanase në La Liga: FC Barcelona, ​​RCD Espanyol dhe Girona. Barcelona dhe Espanyol janë të dyja skuadra nga qyteti i Barcelonës dhe ka një rivalitet të madh midis tyre. Barcelona është pro pavarësisë ndërsa Espanyoli ka një bazë të ndarë të tifozëve rreth kësaj teme. Emri i skuadrës së tyre mund të tregoj se ata janë pro shtetit të Spanjës, por nuk do të thosha se është tamam kështu. Mund të jetë se me shumë tifozë të Espanyolit janë pro Spanjës, por baza e tifozëve të kësaj skuadre është më e ndarë sesa që mund të mendohet Bordi i Espanyol-it e di se ata kanë një bazë të tifozëve shumë të ndarë dhe ata kanë zgjedhur të jenë neutralë në këtë “konflikt”. Ata janë të vetmit prej tre skuadrave katalanase në La Liga që nuk kanë bërë deklarata zyrtare kundër represionit, sepse ata e dinë që disa prej tifozëve të tyre mendojnë se veprimi i policisë së shtetit nuk ishte represion. Girona është ekipi i një prej katër kryeqyteteve provinciale në Kataloni (të cilat janë Barcelona, ​​Tarragona, Lleida dhe Girona). Në fakt, Girona është provinca më pro pavarësisë, prej të katërtave. Është ajo provincë që është më larg nga pjesa tjetër e Spanjës dhe ndodhet në kufi me Francën. Është provinca ku katalanishtja është më e folur dhe spanjishtja është më pak e folur. Ky është sezoni i parë që Girona FC është në divizionin e parë të La Ligës. Në skuadrën kombëtare spanjolle tani ka pesë lojtarë katalanas: Piqué, Sergi Roberto, Bartra, Busquets dhe Jordi Alba. Piqué dhe Sergi Roberto janë të vetmit futbollistë që votuan në referendum. Por Sergi Roberto nuk është në skuadrën e Spanjës tani: ai ka luajtur disa ndeshje por ai nuk është përzgjedhur për ndeshjet e fundit. Busquets dhe Jordi Alba nuk duan t’u përgjigjen pyetjeve rreth politikës. Busquets ka thënë se mendon që do të luajë edhe për shumë vite të tjera për ekipin kombëtar spanjoll. Bartra luan në Gjermani, kështu që ai nuk është në qendër të mediave dhe nuk është pyetur për këtë.

Insajderi: Ju jeni duke shkruar një libër për futbollin e Kosovës. Ju keni qenë në Kosovë për këtë arsye. A do mund të tërhiqje disa paralele mes Kosovës dhe Katalonjës, nga këndvështrimi sportiv?

Axel: Kur e vizitova Kosovën për herë të parë, liga e futbollit dukej më shumë si një kompeticion amator që luhej në fshehtësi. Terrenet sportive dhe baza e futbollit ishin shumë të dobëta. Duket si një utopi që ekipi kombëtar i Kosovës u pranua në UEFA dhe po luan ndeshje ndërkombëtare – megjithëse, unë duhet ta pranoj se Fadil Vokrri ishte shumë optimist për këtë; unë nuk e besoja, sepse dukej e pamundur, por ai [Fadil Vokrri v.j] kishte të drejtë. Por, Kosova nuk kishte futbollistë të njohur asokohe – edhe pse, Shaqiri, Januzaj dhe Xhaka ishin të famshëm, por ata po luanin për kombëtare të tjera – dhe nuk kishte ekipe të famshme. Katalonja ka FC Barcelonën dhe lojtarë si Piqué. Ka më shumë vëmendje ndërkombëtare. Por, kur e vizitova Kosovën për herë të parë, Kosova veçse funksiononte si shtet i pavarur. Ekipet kosovare nuk kanë luajtur në ligën serbe dhe lojtarët kosovarë nuk kanë luajtur për ekipin kombëtar të Serbisë. Kjo është një situatë shumë e ndryshme.

Insajderi: BE thotë se Kosova nuk është rast i njëjtë si Katalonja. Çfarë mendoni ju? A kemi të bëjmë me dy raste të njëjta?

Axel: Mendoj se rastet janë të ndryshme, po. Kur u bë shpallja e pavarësisë, Kosova kishte më shumë se 90% të njerëzve që e mbështesnin atë. Në Katalonjë kemi një shoqëri më të ndarë, gjë që e bën më të vështirë. Dhe Kosova po ndahej nga Serbia, një shtet që s’ishte mike e Bashkimit Evropian apo NATO. Katalonja po përpiqet të ndahet nga Spanja, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, që do të thotë se vendet e anëtarësuara në këto organizata po mbështesin Spanjën.

Insajderi: A mendoni se do të shkaktonin tensione vendimet e futbollistëve katalanas për të zgjedhur mes kombëtareve të Spanjës apo Katalonjës?

Axel: Situata e Pique veçse ka krijuar tension. Ai tani është armiku publik numër një në Spanjë. Mund të jetë më shumë armik sesa presidenti katalanas! Ai është objekt abuzimi kur Spanja luan në shtëpi dhe shumica e tifozëve spanjollë duan që ai të largohet nga ekipi kombëtar. Unë mendoj se lojtarët do të zgjedhin Katalonjën, vetëm kur Katalonja do të jetë përfundimisht e pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht. Unë nuk mund ta shoh një situatë, ku futbollistët katalanas do ta linin Spanjën, nëse Katalonja nuk do mund t’i ofronte atyre futboll ndërkombëtar. /Insajderi.com