Qytetarët të shqetësuar për tubimet e partive politike: Po rrezikojnë shëndetin e popullatës

Qytetarët të shqetësuar për tubimet e partive politike: Po rrezikojnë shëndetin e popullatës

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë shprehur të shqetësuar për tubimet elektorale të partive politike në kohë pandemie, meqë thonë se këto tubime po rrezikojnë shëndetin e popullatës, transmeton Insajderi.

Qytetari Berham Simnica thotë që nuk i përcjell tubimet elektorale, por që sipas tij çdo tubim sipas vendimeve qeveritare ndikojnë negativisht dhe munden me përhap Coronavirusin.

“Unë fare nuk i përcjelli ato, por secila parti jep ato qëndrimet dhe mendimet e veta për me fitua simpatizuesit e vet, po çdo tubim sipas vendimeve qeveritare, e shteteve përreth tubime të tilla ndikojnë negativisht dhe munden me përhap Coronavirusi”, tha qytetari Simnica për EO.

Edhe Ismet Tahiri, tjetër qytetar, tubimet në kohë pandemie i konsideron pa rezultat, dhe që po devijojnë njëra prej tjetrës që 20 vite. Madje ai shtoi që asnjëherë nuk merr pjesë në këto tubime.

Sipas qytetarit Azemi, tubimet politike i sheh si shumë tollovi dhe sipas tij janë tubime ku kryetarët shajnë, dhe janë tubime pa disiplinë.

“Kjo është në krejt nivelin e Kosovës, jeta qysh është në krejt nivelet janë edhe këto tubime, janë edhe tollovi, ku shan kryetari i Komunës, shan kush të mundet çka do, shan edhe në fund kthehen në shtëpitë e veta, nuk shquhet Kosova me disiplinë, me ndonjë kulturë të sjelljes e tubimeve, të ushqimit e të punës”, u shpreh Azemi.

Krejt këto reagime të qytetarëve vinë si pasojë e tubimeve të partive politike në prag të fushatës zgjedhore që po mbahen në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së virusit Corona. /Insajderi.com