Qytetarja e dyshuar me koronavirus “mbeti” në rrugë – drejtori i Shëndetësisë sqaron rastin

Qytetarja e dyshuar me koronavirus “mbeti” në rrugë – drejtori i Shëndetësisë sqaron rastin

Një vajzë 18-vjeçare, e dyshuar të jetë infektuar nga koronavirusi, mbeti në mes të rrugëve të zbrazura të Prishtinës të dielën në mbrëmje.

Kur po afrohej mesnata, një person që thotë të jetë babai i vajzës, me emrin e Facebook-ut, Jon Goxhuli, shfaqi live në rrjetin social pamjet e rënda të vajzës; e shtrirë në një qoshe të një objekti pranë rrugës “Luan Haradinaj”, e pafuqishme dhe e sëmurë.

Teksa xhironte vajzën e tij, 18-vjeçe, Jonuz Goxhuli ankohej në neglizhencën e institucioneve shëndetësore. Thoshte se punëtorët shëndetësorë të Komunës së Prishtinës dhe ata të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare, refuzuan trajtimin e vajzës pasditen e së dielës.

“Shikoni se si na trajtojnë mjekët tanë!”, thotë Jonuz Goxhuli, në një paraqitje live në Facebook, rreth gjysmë ore para mesnatës. “Nuk e marrin pacientin me e dërgu në Infektivë, edhe pse është me temperaturë 40 gradë dhe nuk i intereson askujt”.

Gepostet von Joni Goxhuli am Sonntag, 12. April 2020

Pasi përfundoi duke xhiruar vajzën e tij të sëmurë, në qendër të kryeqytetit, Xhigoli drejton akuza ndaj personelit shëndetësorë të shtetit.

“Ju bëj apel, merrni ilaçe në shtëpi, se sa për doktorë do të vdisni rrugës”, thotë ai. “E thirra Infektiven atje. Më thanë se nuk kam çfarë kërkoj as atje. Është tmerri i tmerrit”.

Megjithatë, drejtori i Drejtorisë së Shëndetit në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se personeli shëndetësor i Komunës së Prishtinës, e ka pranuar dhe kontrolluar pacienten në fjalë. Ka thënë se informatat janë të dokumentuara nga komuna.

“Ekipa e pasdites që ka qenë në tendë, e cila është përgjegjëse e rasteve të dyshimta me COVID-19, e kanë vizituar pacienten dhe pacientja është udhëzuar për në Klinikën Infektive. Pacientja ka pasur ethe; temperatura ka qenë 36.5, sipas ekipes shëndetësore, që do të thotë se nuk ka pasur temperaturë. Ka pasur edhe pak probleme me frymëmarrje”, ka thënë ai.

“Me këtë diagnozë e kanë udhëzuar për në Klinikën Infektive. Pastaj, a ka qenë pacientja në Klinikën Infektive apo jo, këtë nuk e dimë ende sepse s’kemi informata nga QKUK-ja. Nuk mundem të flas për këtë pjesë”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Gashit, pacientja është rikthyer sërish rreth orës 23:00 të së dielës dhe ekipet shëndetësore në tendë e kanë udhëzuar atë sërish për në Klinikën Infektive të QKUK-së.

“Ndërkaq, kur është kthyer diku rreth orës 22:45 apo 23:00, ekipi që ka qenë në tendë e ka udhëzuar prapë për të shkuar në Klinikë Infektive, për shkak të shenjave. Është e faktuar me protokoll se pacientja është kontrolluar, është udhëzuar, i është dhënë letra, janë shënuar shenjat dhe është udhëzuar për në Klinikë Infektive”, ka thënë drejtori Gashi.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës ka deklaruar se “ekipi shëndetësor i Komunës së Prishtinës e ka kryer punën e vet pikërisht në bazë të protokollit për të cilin është krijuar tenda”.

Insajderi ka tentuar të marrë sqarime lidhur me rastin nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Infektologët Valbon Krasniqi dhe Lindita Ajazaj-Berisha nuk i janë përgjigjur thirrjeve telefonike të gazetës gjatë të hënës. /Insajderi.com