Raketat hipersonike me aftësi të dyfishtë, kërcënim i madh global

Teknologjitë e reja që përdoren për prodhimin e raketave, përfshirë të ashtuquajturat sisteme hipersonike të afta për të fluturuar me një shpejtësi 25 herë më të madhe sesa shpejtësia e zërit, po ndezin një garë të re botërore armatimesh shkruan në raportin e Katarzyna Kubiak i cili përfaqëson Rrjetin Evropian të Udhëheqjes.

Raketat hipersonike me aftësi të dyfishtë, kërcënim i madh global

Sipas këtij raporti shfuqizimi i Traktatit të Armëve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë muajin e kaluar është vetëm shembulli më i fundit i presionit në rritje ndaj sistemit të sigurisë botërore. Raporti sugjeron nënshkrimin e traktateve të reja si një nevojë urgjente për të luftuar kërcënimin që vjen për shkak të zhvillimeve teknologjike

Rusia kreu një fluturim provë me raketën e saj hipersonike “Avangard” dhjetorin e kaluar. Moska pretendon se shpejtësia e saj i kalon të 11 mijë kilometrat në orë dhe se është në gjendje të shmangë sistemet e mbrojtjes kundër raketave.

Sistemi që lëshon këto raketa, i njohur si mjeti rrëshqitës hipersonik, do të jetë në gjendje të pajiset me mbushje bërthamore e konvencionale. Rusia thotë se “Avangard” po prodhohet tashmë në seri.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Australia po prodhojnë gjithashtu sistemet e tyre, thotë autorja e raportit.

Zhvillimi i raketave me aftësi të dyfishtë, të cilat mund të pajisen me mbushje konvencionale apo bërthamore, ka krijuar një nivel të ri paqartësie dhe potencialin për llogaritje të gabuara me efekte shkatërruese.

“Në një situatë krize ushtria vepron nën një presion shumë të madh. Dhe duke mos ditur se çfarë lloj rakete po u vjen, ata mund të supozojnë ose skenarin me të keq ose të keqkuptojnë një situatë, e cila më pas mund të çojë në një përshkallëzim të paqëllimshëm”, shton Katarzyna Kubiak.

Prova e dështuar me një raketë në pjesën ruse të Arktikut në fillim të këtij muaji vrau të paktën pesë persona të angazhuar me provën dhe çoi në rritje të niveleve të rrezatimit në atë zonë. Kjo gjë u dha zë shqetësimeve botërore rreth përpjekjeve të Moskës për prodhimin e raketave me mbushje bërthamore.

Kubiak thotë se për shkak të shtimit të prodhimit të raketave, sistemi global i sigurisë ndodhet nën një presion të fortë dhe kjo po nxitet fuqishëm nga përparimet në fushën e teknologjisë.

Në raport thuhet gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet urgjentisht të vendosë në krye të agjendës politike çështjen e raketave. Kjo do të përfshinte forcimin e masave ekzistuese të mos përhapjes së tyre si dhe marrjen e masave e kryerjen e negociatave transparente për të adresuar çështjet që lidhen me teknologjitë e reja për prodhimin e raketave./voa.