Rakiq: Sulmin ndaj djalit të Rashiqit e organizoi Kurti

Rakiq: Sulmin ndaj djalit të Rashiqit e organizoi Kurti

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për organizimin e sulmit fizik që iu bë djalit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, transmeton Insajderi.

Ai pretendon se sulmi ishte organizuar përmes vetë Rashiqit dhe politikanes Rada Trajkoviq, raporton Tanjug.

Rakiq ka apeluar te serbët në Kosovë që t’i besojnë Serbisë dhe Listës Serbe duke shtuar se “presioni, trillimet dhe gënjeshtrat do të vazhdojnë”.

Të hënën e 22 shkurtit, djali i ish-ministrit në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq, u sulmua nga rreth 30 persona, derisa po dilte nga shkolla në Graçanicë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në një përgjigje për Insajderi-n ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë arrestuar tetë të dyshuar, njëri prej tyre i mitur./Insajderi.com