
Kryeministri Edi Rama, është shfaqur sot me një premtim për të gjithë fëmijët që do të lindin pas Janarit 2019. Më shumë se një premtim në fakt, u duk si një përpjekje e kryeministrit, për të ndalur shpopullimin e frikshëm të vendit, i cili vjen si pasojë e largimeve masive në emigracion por edhe uljes së lindjeve.
Rama premtoi 40 mijë lek për fëmijën e parë, 80 mijë lek për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë, duke nxitur kështu popullin të angazhohet sa më shpejt në këtë proces.
Vlen të kujtohet, se ky ka qenë propozimi i Ben Blushit, kur ai luftonte për të varfërit e Shqipërisë. Pas mbylljes së partisë “Libra”, këtë ide e ka përqafuar Edi Rama dhe Rilindja e tij.
Megjithatë, kryeministri ende nuk ka sjellë një propozim për numrin e madh të qytetarëve që largohen nga vendi, sepse kanë humbur shpresën. Përkundrazi, ai gjithmonë e ka quajtur largimin e tyre, një gjë normale siç ndodh në vendet e Bashkimit Europian.
Edhe me propozimin e sotëm, për shpërblime monetare, për lindjen e bebeve, Rama tregoi se nuk është i interesuar të kuptojë arsyet kryesore të shpopullimit të vendit, duke ofruar një zgjidhje në vazhdën e fasadave të shumta të qeverisë së tij.