Rama për vizitën e Vjosa Osmanit: Bëri propagandë në Tiranë për të fituar vota në Kosovë

Rama për vizitën e Vjosa Osmanit: Bëri propagandë në Tiranë për të fituar vota në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, derisa ka komentuar vizitën e ushtrues së detyrës së presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shqipëri, tha se kjo e fundit bëri propagandë në Tiranë për të fituar vota në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas tij, Osmani gjatë kësaj vizite u shfaq duke bërë politikë të brendshme të Kosovës.

Këto deklarata kryeministri shqiptar i bëri gjatë konferencës “Ekonomia në Fokus”.

“Një presidente në detyrë të shfaqet në Shqipëri dhe të bëjë një politikë të brendshme. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi, kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj dhe të vish dhe të bësh propagandë në Tiranë, për të fituar vota në Kosovë. Ai tra atje nuk është kufi, sikundër trau me pagesë që do të vihet nesër në rrugën Milot-Fier”, u shpreh Rama.

Sipas tij politika rajonale e Kosovës është bërë si kalaja e Rozafës.

“Unë mund të them që sigurisht që objektivi ynë ka qenë dhe mbetet zero probleme me fqinjët, sikundër edhe e kujtove. Zero probleme me fqinjët nuk do të thotë fshehje problemesh. Përtej kësaj nuk do të thotë që ne nuk kemi probleme me Kosovën, për fat të keq Kosova ka probleme me veten. Prej disa kohësh politika e jashtme është bërë e brendshme dhe e brendshmja e jashtme, dhe kjo e ka rraskapitur Kosovën. Ky është problemi që unë e kam adresuar tek udhëheqësit e Kosovës dhe ta adresoj edhe publikisht dhe padashur të rëndoj askënd dhe për asgjë, është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj “Shengenit Rajonal”, ku një nga shtyllat e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafes”, tha ai./Insajderi.com