Rama: Vettingu në Polici do të zbatohet që nga janari

Rama: Vettingu në Polici do të zbatohet që nga janari

Gjatë fjalës së tij në Konferencën Shkencore në Akademinë e Sigurisë, kryeministri shqiptar, Edi Rama u shpreh se procesi i pastrimit të policisë nga elementë të korruptuar apo të paaftë do të vijojë në policinë e shtetit.

“Siguria publike nuk mund të krijohet nga qasje apo procese të izoluara. Ne do të nxisim proceset që mundësojmë përpjekjet e përbashkëta të strukturave ligjzbatuese. Përvoja e shkëlqyer e disa Task Forcave janë një provë e madhe për sinergji. Forca e Ligjit do të shërbejë edhe për konsolidimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. Modernizimi i vazhdueshëm i strukturave ligjzbatuese është prioritet. Burimet financiare e kapacitetet teknologjike mund të përballen vetëm nëpërmjet një modernizimi të shpejtë”, ka thënë Rama, transmeton kp.

Ai më tutje ka shtuar se, “në këtë kuadër, akademia ka një rol prijës dhe ne do të vijojmë ta mbështesim në kurrikula dhe në teknologji, të cilat duhet të udhëhiqen nga pedagogë të kësaj akademie. Pastërtia e radhëve të sigurisë është parakusht i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm. Ne kemi bërë sa kemi mundur. Procesi historik i pastrimit të policisë nga elementë të korruptuar apo të paaftë do të vijojë në policinë e shtetit”.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj u shpreh se operacioni i paralajmëruar nga policia “Forca e Ligjit” është dëshmi e angazhimit të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Aksioni forca e ligjit i miratuar se fundmi dëshmon vullnetin politik dhe institucional të qeverisë edhe agjencive të tjera ligjzbatuese në luftën pa kompromis të krimit të organizuar. Buxheti i alokuar nga qeveria për ministrinë e Brendshme për vitin 2018 është gjithashtu një tregues u qartë i vullnetit të kësaj qeverie për jetësimin e këtyre projekteve madhore. Ky është buxheti më i lartë të paktën 10 vitet e fundit me një rritje 70% krahasuar me vitin që sapo mbyllim. Do shkoje kryesisht për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, mungesë që ka ndikuar ndjeshëm në efektin e zbulueshmërisë së krimit”, u shpreh Xhafaj.