Rama, Zaev e Vuçiq takohen në Shkup – sot ndryshohet emri i “Mini-Shengenit”

Rama, Zaev e Vuçiq takohen në Shkup – sot ndryshohet emri i “Mini-Shengenit”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot në Shkup në kuadër të Forumit ekonomik për bashkëpunim rajonal dhe për mini-Shengenin Ballkanik, që tani pritet të marrë një emër të ri.

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e mini-Shengenit, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe jo nismave që sipas kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.

Pas Forumit ekonomik, Rama dhe Vuçiq janë pritur nga Zaev duke bërë një shëtitje në sheshin e Shkupit dhe me këtë rast, Rama ka komentuar edhe vendimin për ndryshimin e emrit të nismës së Shengenit, duke lënë të kuptohet se kjo po bëhet pas kritikave të kryeministrit të Kosovës, Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë tha se nuk beson se edhe ndërrimi i emrit mund të çojë në kapërcimin e dallimeve.

“Shengeni rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE-së, pra korniza e katër lirive të BE-së: lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër, thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prapë me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, ka deklaruar Rama për TCh.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq takimin me Ramën dhe Zaevin e ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit.

“Ky është një hap i madh për të ardhmen. Bashkëpunimi politik dhe mes njerëzve sjell stabilitet dhe shumë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e rajonit”, është shprehur Vuçiq me anë të një postimi në Instagram.

Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit do të nënshkruajnë dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik. /Insajderi.com