Ramadani: Tri javët e ardhshme janë kritike, qytetarët t’i shmangin daljet

Ramadani: Tri javët e ardhshme janë kritike, qytetarët t’i shmangin daljet

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë konferencës së përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, të shtunën mbrëma e ka bërë një paraqitje të shkurtër të situatës epidemiologjike në Kosovë.

Ramadani ka thënë mbrëmë është thyer rekordi i Laboratorit të Mikrobiologjisë, teksa janë testuar 243 raste, prej të cilave 9 dolën pozitive.

“Duke e pasur këtë situatë, tashmë një muaj e tepër, me të cilën po ballafaqohemi intensitivisht duke diagnositifikuar dhe duke gjurmuar në terren të gjitha rastet që kanë të bëjnë me COVID-19, ne kemi arritur në këtë pikë me 135 raste pozitive, që i ka tejkaluar parashikimet tona, pasi që kemi menduar se do të kemi më shumë raste”, ka thënë ai.

“Por, nuk ka vend për kënaqësi, derisa ta largojmë virusin nga trevat tona”, ka shtuar ai.

Ramadani ndërkaq ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimi i plotë mes autoriteteve. Ai në të njëjtën kohë u ka bërë sërish apel qytetarëve, që të mos dalin, duke kërkuar që ata t’i përmbahen deri në fund të prillit udhëzimeve për të qëndruar në shtëpi dhe për të dalur vetëm në rast nevojë”.

“Janë tri javë kritike, qytetarët gjatë këtyre të mos tubohen dhe të qëndrojnë në shtëpi”, ka thënë ai.