Ramiz Kelmendi nuk zë vend – ndërron katër parti për tre vite  

Ramiz Kelmendi nuk zë vend – ndërron katër parti për tre vite  

Për tre vite, biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi, ka ndërruar katër parti. Sot edhe pse jo zyrtarisht, ai është bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ndonëse para disa jave kishte thënë se mjeku i kishte rekomanduar që mos të merret me politik shkaku i shëndetit të tij, sot ai është takuar me të parin e PDK-së Kadri Veseli.

“Me z.Veseli kemi biseduar sot në një takim rastësorë nga i cili ka derivuar vendimi im. Sinqeriteti për bashkëpunim mbetet reciprok dhe në respekt të kapaciteteve të ndërsjella për ti çuar proceset shtetërore përpara, gjithnjë brenda limitit të mundësive të mia shëndetësore”, ka shkruar Kelmendi në llogarinë e tij në Facebook.

Por Kelmendi njihet për trampolinat e tij nëpër parti politike në vend. Kjo është lëvizja e katërt e tij brenda tre viteve për tu bërë anëtarë i një parti në vend, shkruan Gazeta Insajderi.

Para tre vitesh, Ramiz Kelmendi besonte fuqishëm se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), do të ishte kryeministër i Kosovës. Ai kishte paralajmëruar plane të mëdha për postin që e mendonte për vete. Diçka për zhvillim ekonomik.

Kelmendi kishte arritur të bëhej edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës. Ai Kishte bërë shumë për Haradinajn edhe gjatë kohës kur ai përballej me drejtësinë në Tribunalin e Hagës.

“Për lirimin nga Haga kanë qenë diku rreth 400 mijë euro që i kam dhënë për zotin Haradinaj dhe nuk i bie pishman”, kishte thënë Kelmendi, raporton Insajderi.

Kështu besonte deri me 5 maj 2014, kur Haradinajt tashmë i ishin shuar shpresat që të marrë drejtimin e Qeverisë.

Atë ditë maji ai kishte dhënë dorëheqje, duke e akuzuar AAK-në se “planin e tij për zhvillim ekonomik, AAK-ja e saktëisht Ardian Gjini as nuk din ta nisë e lëre të zbatojë”.

Nuk kishte dhënë arsye më shumë.

Pesë ditë më vonë, me 10 maj 2014, Kelmendi aderoi në një parti tjetër. Në atë të PDK-së ku në aë kohë kryetar i saj ishte, Hashim Thaçit aso kohe kryeministër në detyrë, që tash është president.

Thaçi kishte prezantuar ish-deputetin e AAK-së, Ramiz Kelmendi, si prurje të re në partinë e tij.

Madje Thaçi kishte thënë se Ramiz Kelmendi po i bashkohet listës fituese të 8 qershorit (data e zgjedhjeve parlamentare v.j) dhe “Misionit të ri” për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

E Kelmendi që gjatë gjithë fushatës e kishte prezantuar planin e tij për zhvillim ekonomik, kishte thënë me të aderuar në PDK se aty ka parë që në këtë parti do ta realizojë planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

As kjo nuk ishte ndodhur.

Kelmendi që trumbetonte idenë se do të bëhej ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Thaçit nuk e kishte arritur.

Pas krizës politike kryeministër ishte bërë Isa Mustafa e ai kishte mbetur jashtë kabinetit qeveritar.

Kishte qëndruar në PDK duke kërkuar gjithandej nëpërmjet intervistave në media se nëse nuk do të bëhej zëvendëskryeministër i Qeverisë do të dilte nga Partia Demokratike e Kosovës.

Thaçi që e kishte sjellë në PDK Kelmendin, ishte bërë president ndërsa kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli nuk e shihte si person që do të merrte këtë post.

“Dorëheqja ime vie pasi që vizioni im për zhvillim ekonomik të Kosovës mu pamundësua”, ishte arsyetuar Klemendi pas disa deklaratave “po bëhem zëvendëskryeministër, s’po bëhem zëvendëskryeministër”.

Gjatë këtyre muajve ai ishte takuar sërish me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Kelmendi thoshte se Haradinaj i kishte ofruar vend në parti, por që nuk donte të ngutej.

Por kur vendi i zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, pas largimit të Kujtim Shalës, ministër i Kulturës, ishte vakant, Kelmendi iu rikthye tendencës së tij për postin e dëshiruar.

E më 25 tetori 2016, Kelmendi kishte aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, drejtuar nga Isa Mustafa.

Synimet e tij kishin mbetur të njëjtëa: posti i zëvendëskryeministrit ose një post që lidhet me “planin e tij për zhvillim ekonomik”.

Kësisoj aderimi i tretë partiak i Kelemndit brenda dy viteve i shkoi huq.

Vendi është duke pritur që më 6 tetor të dal në zgjedhje, mirëpo kësaj here Kelmendi përvec mbështetjen që ia ka dhënë Veselit, nuk është pjesë e listës për deputet. /Insajderi.com