Ramiz Lladrovci ka një porosi për Limajn e Bilall Sherifin

Ramiz Lladrovci ka një porosi për Limajn e Bilall Sherifin

Kreu i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nëpërmjet një postimi, i është përgjigjur Fatmir Limajt dhe Bilall Sherifit, pasi ata reaguan ndaj adresimit të tij, në tubimin elektoral në Drenas, njofton Insajderi.

“Ia bëj me dije, Fatmir Limajt dhe Bilall Sherifit, kurdo që ua merr mendja për të më kontestuar, jam i hapur të ballafaqohem me ta para kamerave, ka shkruar Ramiz Lladrovci.

“Është bërë traditë e keqe që në fushata zgjedhore shpërthen trimëria e paparë e disa protagonistëve të njohur për mua që e njoh organizimin nga vitet ‘80 dhe minuta e parë e organizimit për çlirim. Këta trima, e shpallin veten bartës të së vërtetës për liri, çlirim dhe vulës së patriotizmit. Jo, kjo te unë nuk kalon”, ka thënë ai.

Tutje Lladrovdi u shpreh se të vërtetat që i ka thënë nuk mund të kontestohen.

“Dy të vërteta që i kam thënë, rreth një protagonisti, nuk mund të kontestohen, sepse janë të vërteta. Këtë “trim të fushatave” e kam quajtur më herët “teneqe” dhe e kam prekur pak me “tërheqje taktike”. Kjo, për t’i dhënë kohë të mendojë se lufta nuk është pikë e fortë e tij”, thotë ai.

“Ia bëj me dije, Fatmir Limajt dhe Bilall Sherifit, kurdo që ua merr mendja për të më kontestuar, jam i hapur të ballafaqohem me ta para kamerave”, përfundon Lladrovci./Insajderi.com