Raporti i autopsisë nxjerr detajet e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Raporti i autopsisë nxjerr detajet e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Më datë 16  janar të vitit 2018, rreth orës 08:10 minuta, në rrugën ‘Sutjeska”, në Veriun e Mitrovicës, nga një veturë në lëvizje e markës ‘Opel Astra’, pa targa të regjistrimit dhe me xhama të errësuar me disa persona (ende të panjohur për hetuesinë kosovare), kishte shtënë 6 herë në trupin e Oliver Ivanoviqit. Viktima ishte dërguar për në spitalin rajonal të Mitrovicës ku vetëm ishte konstatuar vdekja e tij. Gazeta Express ka siguruar aktakuzën 48-faqëshe, të cilën Prokuroria e Shtetit, më 2 dhjetor të këtij viti, e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe ju sjell detajet se si ishte gjetur trupi i të ndjerit në ditën kritike

Prokuroria e shtetit po akuzon gjashtë persona si të dyshuar për vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ata në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Express, po akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Nga kjo aktakuzë e siguruar ekskluzivisht nga Express jepen detaje të ditës së 16 janarit, kur u vra Ivanoviqi.

Por, pak minuta pasi që ndodhi e gjithë kjo ngjarje e rëndë, në po të njëjtën ditë, më 16 janar, rreth orës 09:15 minuta, në rrugën ‘Vojvoda Putnika”, ishte gjetur tërësisht e djegur vetura e tipit ‘Opel Astra’, nga e cila ishte shtënë në drejtim të ish-politikanit serb.

Trupi i Ivanoviqit, në ditën kritike, kishte qëndruar për disa minuta në vendin e ngjarjes.

Në raportin e autopsisë të bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë i kryer në ditën e njëjtë kur edhe u qëllua (16.01.2018), Ivanoviqi kishte vdekur nga plagët e shkaktuara me armë zjarri. Aty shfaqen një plagë dalëse e predhës afër kraharorit nga ana e djathtë, plagë me armë zjarri me vrimë dalëse dhe predhë nën thimthin e kraharorit të djathtë, plagë me armë zjarri (nën lëkurë është gjetur predha dhe këtu ka pasur hematomë), plaga ishte nën sqetull, është evidentuar një plagë me armë zjarri (vrimë dalëse e predhës), lëndimi ishte në mes të trupi, gjithsejtë trupi i pa jetë i Oliver Ivanoviqit kishte pasur 5 plumba të shkrepur, disa nga to kishin qenë depërtuese.

Po ashtu gjatë autopsisë, në trupin e viktimës ishin evidentuar dy predha të kalibrit 9×19 mm dhe fragmente të tjera të këmishës së predhës.

E deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka arritur që t’i identifikojë vrasësit e mundshëm të Ivanoviqit. Ndërkohë, urdhërarrest ndërkombëtar, Prokuroria tashmë ka shpallur edhe për katër persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vrasjes së Olivber Ivanoviqit. Ata besohet se gjenden në Serbi.

Prokuroria Speciale gjithashtu ka shpallur urdhërarrest ndërkombëtar për Milan Radojiqiqin dhe Zvonko Vesenlinoviqin, ku këta dy të fundit sipas prokurorisë cilësohen si  udhëheqës të grupit të cilët janë përfshirë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Urdhërarrest vendor Prokuroria Speciale ka shpallur ndaj Zhelko Bojiqit, zyrtar policor në veri të Mitrovicës dhe Milan Mihajloviqit, i njohur si “Popi”.