Raporti i Speciales për Veselin: Përveç babait, vizitoi edhe dikë tjetër

Raporti i Speciales për Veselin: Përveç babait, vizitoi edhe dikë tjetër

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili që nga muaji nëntor po qëndron në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, ishte i pari nga të arrestuarit që iu mundësua të takojë fizikisht dikë nga familja, prej kohës kur ai dhe krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan pas akuzave për krime kundër njerëzimit, transmeton Insajderi.

Në fillim të muajit maj, Veselit iu lejua në rrethana të jashtëzakonshme të udhëtojë drejt Kosovës për ta vizituar babain e tij që ishte i shtrirë në Klinikën e Neurologjisë.

Dhomat e Specializuara në Hagë tashmë kanë publikuar raportin e detajuar mbi rrethanat se si u lejua kjo vizitë.

Siç thuhet, kërkesa e Veselit ishte bërë të mërkurën e 28 prillit deri sa gjyqtari i procedurës paraprake e aprovoi të njëjtën pas dy ditësh më 30 prill. Vizita nisi më 2 maj dhe zgjati vetëm katër ditë, sipas urdhrit të gjyqtarit, ndryshe nga kërkesa e Veselit që kjo të zgjaste 7 ditë.

Pasi takoi babanë, Kadri Veseli gjatë kohës sa ishte në Kosovë bëri edhe një kërkesë tjetër, sërish të jashtëzakonshme, e për të njëjtat arsye, kësaj radhe për ta parë nënën, raporton Klan Kosova.

“Më 3 maj 2021, zotëri Veseli bëri kërkesë për të modifikuar kushtet e vendosura në vendim, ashtu që t’i lejohet ta vizitojë nënën e tij e cila ka mbetur e shtrirë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Gjyqtari i procedurës paraprake ia mundësoi këtë vizitë më 4 maj 2021”, thuhet në njërën nga pikat e raportit.

Tregohet se ish kreu i PDK’së pati mundësi të takojë edhe anëtarët tjerë të ngushtë të familjes, me kontrolle rigoroze të identitetit të tyre. E krejt këto u bënë sipas rregullave të përcaktuara nga DHSK.

”Më 5 maj 2021, zotëri Veseli u transferua sërish në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Holandë. Ai përfilli të gjitha urdhrat e gardianit kryesor dhe pjesëtarëve tjerë të sigurisë. Bashkëpunimi me partnerët e jashtëm ka qenë tejet efikas dhe mundësoi një operacion të suksesshëm”, thuhet në raportin ku theksohet se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Veseli qëndroi në një qendër mbajtje të sigurt. /Insajderi.com