Raportuesi i BE-së, Thaçit: Jemi këtu për të mbledhë të dhëna

Raportuesi i BE-së, Thaçit: Jemi këtu për të mbledhë të dhëna

Raportuesi i BE-së për Kosovën, Igor Šoltes, po qëndron për vizitë në Kosovë për të mbledhur sa më shumë të dhëna, që të raportojë në Parlamentin Evropian.

“Për këtë jemi në Kosovë, që të mbledhim sa më shumë të dhëna nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës në mënyrë që të raportojmë në Parlamentin Evropian”, ka thënë Šoltes.

Ai këtë e ka bërë të ditur gjatë takimit që ka pasur me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar raportuesin e BE-së për përkrahjen e deritashme.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e deritashme. Po punojmë që të prodhojmë sa më shumë argumente pozitive edhe për përkrahësit e Kosovës. Jemi duke punuar që të ndërtojmë konsensus politik për dialogun me Serbinë. Mos harroni që është krijuar një perceptim që i gjithë rajoni po ndihmohet, përpos Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi theksoi se në Samitin e Sofjes është bërë e qartë që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtojnë marrëdhënie evropiane ndërfqinjësore nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian./Insajderi.com