
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të arrihet pajtimi.
Kështu është shprehur ai në seancën plenare të BE-së, derisa ka paraqitur raportin për Serbinë, ku tha se duhet pajtuar me të kaluarën, e cila është e rëndësishme për perspektivën evropiane të Serbisë dhe të rajonit.
“Është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë dhe të sjellë rezultate, sepse ne kemi nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që do të na ndihmojë të pajtohemi me të kaluarën, e cila është e rëndësishme për perspektivën evropiane të Serbisë, por edhe për perspektivën evropiane të rajonit”, tha ai në prag të miratimit të raportit për Serbinë.
Ai më tutje deklaroi se përshpejtimi i anëtarësimit të Serbisë në BE do të varet nga Serbia, pra nga shpejtësia e saj e zbatimit të reformave.
“Përshpejtimi i anëtarësimit të Serbisë në BE është kryesisht në duart e Serbisë. Sa më shpejt që Serbia të zbatojë reformat, aq më shpejt do të arrijmë një datë për anëtarësim”, tha ai. /Insajderi.com