Rashit Qalaj shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Policisë

Për shkak të përformancës, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn. Në vend të tij ka emëruar si Ushtrues Detyre Samedin Mehmetin.

Rashit Qalaj shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Policisë

I emëruar në gusht të vitit 2018, Rashit Qalaj, është shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, njofton Insajderi.

Lajmin për shkarkimin e Qalajt e ka bërë të ditur vetë Zyra e Kryeministrit me një komunikatë për media.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti ka liruar nga detyra z. Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thuhet në Komunikatë.

Hoti menjëherë e ka zëvendësuar Qalajn me një ushtrues detyre.  U.D i Drejtorit është emruar Samedin Mehmeti.

Mehmeti deri tani ishte zëvendës i Qalajt në polici, shkruan Insajderi.

biografinë e tij në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, thuhet se Mehmeti përveç përvojës në polici, ai gjithashtu ka përvojë edhe në fushën e sigurisë ndërkombëtare.

“Për disa vite me radhë Mehmeti ka punuar në Departamentin e Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe në Misionin e OKB-së në Afganistan”.

Qalaj, siç tregon komunikata, u shkarkuar “bazuar në raportin e performances”.

Rashit Qalaj Drejtor i Përgjithshëm ishte emëruar në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

Ai erdhi në këtë pozitë, pasi Shpend Maxhuni lëvizi si drejtor i Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës

“Sot kam emëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që bazohet edhe në rangimin sipas Memorandumit të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar për rekrutimin e bartësve të pozitave të larta shtetërore”, pati njoftuar atëkohë Haradinaj në një postim në Facebook.

Me Kushtetutën e Kosovës, neni 94, pika gjashtë, Kryeministri i Kosovës emëron/shkarkon drejtorin e Policisë së Kosovës./Insajderi.com