Rasti i Donjeta Pajazitajt, vëllai i viktimës sulmon të akuzuarin në Gjykatë

Rasti i Donjeta Pajazitajt, vëllai i viktimës sulmon të akuzuarin në Gjykatë

Një person është arrestuar të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, pas një përleshjeje që ndodhi në mes të disa familjarëve të palës së dëmtuar dhe të akuzuarit për vrasje të rëndë, Naser Pajazitaj.

Përleshja mes tyre ndodhi pikërisht pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj Pajazitajt, i akuzuar për këtë vrasje.

Deri te kjo përleshje erdhi pasi vëllai i të ndjerës, Shkëlqim Pajazitaj, pas përfundimit të shqyrtimit fillestar e ka goditur të akuzuarin. Në atë moment kanë ndërhyrë zyrtarët policorë duke e arrestuar.

Tutje, në shkallët e gjykatës ndodh një tjetër përleshje verbale, këtë herë ndaj prokurores Valbona Disha Haxhosaj nga ana e babait të të ndjerës, Halil Pajazitaj dhe të afërmëve të saj, Qamil Pajazitaj dhe Xhafer Pajazitaj.

Për “Betimi për Drejtësi”, rasti në fjalë është konfirmuar edhe nga zëdhënësi për media i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

“Kemi 1 person të arrestuar, për sulm ndaj të akuzuarit Naser Pajazitaj, Shkelqim Pajazitaj (1995), dhe 3 të dyshuar në mbajtje për çka të njëjtit pas marrjes së deklaratave i kemi liru, Halil Pajazitaj (1952), Qamil Pajazitaj (1962) dhe Xhafer Pajazitaj (1966)”- tha Ibraj.

Në shqyrtimin fillestar, Naser Pajazitaj u deklarua i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë.  Ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, i njëjti deklaroi se për pikën 3  dispozitivit të akuzës e pranon fajësinë, ndërsa për pikën 2 e pranon fajësinë si të pjesshme.

Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj.