Rasti i fundit me koronavirus në Gjakovë, flet drejtori i Shëndetësisë

Rasti i fundit me koronavirus në Gjakovë, flet drejtori i Shëndetësisë

I infektuari i fundit me koronavirus (COVID-19) në Komunën e Gjakovës dyshohet të jetë rast kontakti me njërin nga infermierët e prekur më parë nga virusi, ka thënë të martën Ferdinand Kolaj, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Gjakovë.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Kolaj ka thënë se nuk është identifikuar rruga e pranimit të virusit për personin që sot rezultoi pozitiv me koronavirus.

“Sapo kontaktova me zyrtarët e Spitalit. Është rast kontakti dhe sipas logjikës mund të jetë nga dy infermierët e infektuar. Ma tha dikush që mund të jetë familjar i infermierëve të infektuar, por s’është ende e vërtetuar si informatë”, u shpreh Kolaj.

Me rastin e konfirmuar sot, Komuna e Gjakovës ka shtatë pacientë të prekur nga koronavirusi. Drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë u shpreh se gjendja e të shtatë pacientëve është stabile.

“Gjendja gjashtë pacientëve të tjerë [të infektuar nga COVID-19] është e mirë. Nuk janë në rrezik për jetën, janë në gjendje stabile. I kemi marrë masat e duhura dhe po shpresojmë që të mos përhapet koronavirusi”, deklaroi Kolaj.

Ai njoftoi se në Gjakovë janë “testuar rreth 30 infermierë të Spitalit të Gjakovës dhe se pas konfirmimit të dy rasteve të infermierëve me koronavirus, por të gjithë kanë rezultuar negativ në teste”. /Insajderi.com