Rasti i mishit të prishur në Pejë – Komuna nuk ka asnjë inspektor të veterinarisë

Rasti i mishit të prishur në Pejë – Komuna nuk ka asnjë inspektor të veterinarisë

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një aksion i cili rezultoi me zbulimin e një kasaphane nën kushte të tmerrshme higjienike me sasi të mëdha të mishit të prishur, i cili po bëhej gati të nxirrej në treg dhe t`u servohej qytetarëve për konsum.

Brenda atij objekti u gjeten 1089.40 kg mish i prishur dhe një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte aspak të mira higjienike.

Leutrim Murtezaj, drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit ka thënë se Komuna e Pejës për momentin nuk ka asnjë inspektor të veterinarisë i cili mund të bëjë inspektimet në këtë rast.

“Nuk kemi inspektor të veterinarisë, ai që ka qenë është emëruar koordinator i projektit për trajtimin e qenëve endacak dhe në mungesë të inspektorëve nuk kemi mundur të bëjmë inspektime”, ka thënë Murtezaj.

Ai tutje ka shtuar se janë në përgatitje të një plan rreth këtij rasti me Agjencionin që është në kuadër të nivelit qendror, por i njëjti nuk ka dhënë afat se kur do të përfundoj ky plan.

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Pejë  nën dyshimin për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, kallxo.com

Prokuroria ndaj njërit prej tre personave të arrestuar kërkoi edhe masën e paraburgimit.

Fjala është për të dyshuarin S.Sh., i cili pritet të dalë sot para Gjykatës në Pejë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.